OEMVP feston 10 vjetorin, shpall 100 kompanitë më të suksesshme shqiptare

25.11.2015 17:27

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore gjatë kësaj dekade ka zgjeruar kapacitetet e veta, është bërë institucion relevant në vend, si dhe zë i biznesit shqiptar, kështu u vlerësua me rastin e shënimit të 10 vjetorit të themelimit të këtij institucioni, ku gjithashtu u shpallën 100 kompanitë më të suksesshme shqiptare që veprojnë në vend...

“Për një dekadë të plotë ne jemi një urë lidhëse e bizneseve me qëllim të sigurimit dhe kultivimit të marrëdhënieve ekonomike në një nivel më të lartë dhe të besueshëm dhe njëkohësisht vazhdojmë misionin tonë për përfaqësimin e interesave të kompanive anëtare të odës”- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.

Kompanitë anëtare të OEMVP-së zënë vendin e rëndësishëm në ekonominë e Maqedonisë, vlerëson ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, i cili theksoi se Ministria e Ekonomisë do të vazhdojë në përkrahjen e këtij institucioni, ndërsa përkrahje premtoi edhe zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.

“Diku rreth 600 milion euro vetëm top 100 kompanitë më të mëdha të kësaj Ode bëjnë qarkullim vjetor në Maqedoni, duke përfituar fitim diku rreth 33 milion euro, gjë e cila do të thotë se kjo Odë Ekonomike bashkërisht me të gjithë anëtarët e saj dalëngadalë zë vend kryesor në Republikën e Maqedonisë”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.

“Ne si përfaqësues të Qeverisë do të jemi partnerët tuaj, do t’ju ndihmojmë dhe do t’ju përkrahim juve në ndihmën për t’i shërbyer biznesit, konkurrencës së lirë, të pranohen sukseset e më të mirëve dhe të zhvillohet një bashkëpunim se kjo është e mira e biznesit”- theksoi zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.

Si kompania më e suksesshme për këtë vit është zgjedhur Kompania Neptun, ndërsa listën e 10 kompanive më të mëdha e përmbushin kompanitë: “Alma-M”, “Dauti Komerc”, “Gemak”, “Pofix”, “Kipper”, “Bas Tuti Fruti”, “Prince Enterprice”, “Euro Aktiva” dhe “Vardar Dollomit”. Në këtë manifestim u ndanë mirënjohje për personat iniciues të OEMVP-së, si dhe për dy kryetarët paraprak, Xhemail Dauti dhe Menderes Kuçi, ndërsa si kryetar nderi u zgjodh Xhemail Dauti.

“Duke u kthyer në idenë dhe themelimin e OEMVP-së, vizionin dhe misionin që kemi pas për qëllim dhe kemi, besoj se kemi arritur ta realizojmë. Oda sot është një faktor shumë relevant në Maqedoni”- tha kryetar nderi i OEMVP-së, Xhemail Dauti.

OEMVP edhe në ditët në vazhdim do të organizojë aktivitete tjera të cilat do të bëhen në shenjë feste për 10 vjetorin e këtij institucioni. (Ersan Pajaziti, TVM2)