“Ndal dhunës ndaj grave”, 900 raste dhune në familje, 4 gra të vrara
Në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas, organizatat joqeveritare dalin me të dhënat vjetore të rasteve të dhunës në Maqedoni...

Vetëm sivjet janë regjistruar 900 raste dhune, ku përqindja më e madhe e viktimave janë gra. Po ashtu janë regjistruar edhe 4 raste të vrasjeve të grave.
“Për një vit kemi gjithsej 7 viktima të vrara nga dhuna në familje, ndërsa numri për tentim-vrasje është shumë më i madh. Të gjitha këto vrasje janë kryer nga anëtarë të familjes më të ngushtë, me shpesh ish-partnerë”- thuhet nga përfaqësuesit e OJQ-ve.
Numri më i madh i paraqitjeve janë për maltretim fizik, pastaj për maltretim psikik, por ka edhe për arsye ekonomike. Të dhënat thonë se gratë vendosin që të ndahen nga burrat e tyre atëherë kur ato e kuptojnë se jeta e tyre është në rrezik. Ato durojnë maltretime me vite më shpesh për shkak të fëmijëve, por edhe për shkak të ekzistencës dhe ajo se çka do të thonë të tjerët nëse ata ndahen janë gjithashtu shkak pse ata durojnë këtë maltretim.
“Mospasja e qasjes deri te shërbimet për mbështetje i përmendim gratë e vendeve rurale, ashtu edhe gratë dhe femrat me të meta të cilat janë kategori e ndjeshme dhe për këtë arsye janë viktima të shpeshta të këtij lloji të dhunës”- thuhet nga përfaqësuesit e OJQ-ve.
Nga të gjitha rastet e paraqitura, në gjykatë vetëm dy për qind të tyre janë zgjidhur si dhunë në familje. Dhe kjo bën që gratë apo edhe personat e tjerë që përjetojnë dhunë në familje të vendosin me vështirësi të denoncojnë rastet e dhunës. (Besim Abdullai, TVM2)
