Gjevgjeli, kapen emigrantë me dokumente fallco
Përmes kampit të pritjes në Gjevgjeli, në 12 orët e fundit kanë kaluar 540 refugjatë...

Edhe sot kufiri ishte i hapur vetëm për emigrantët nga Siria, Afganistani dhe Iraku. Në kufi sot në mëngjes janë identifikuar një grup refugjatësh që pretendojnë të jenë nga zonat e luftës, por që janë kapur me dokumente të falsifikuara.
UNHCR konfirmon rastin, por ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me ta dhe çfarë pasojash do të ketë kjo gjë tek kontrollet e refugjatëve të tjerë që vërtetë vijnë nga këto zona.
Ndërkohë, emigrantët nga Irani, Maroku dhe kurdët, që të hënën i qepën buzët e tyre, refuzojnë edhe më tej të marrin ushqim si shenjë proteste për pengimin që të kalojnë kufirin.
Kjo ndalje e gjatë e refugjatëve në kufi dhe endja e tyre nga një shtet në tjetrin ka sjellë pasojat e para. Nga Instituti i Shëndetit Publik njoftojnë për raste të Zgjebes, Verdhëzës dhe morrave që janë regjistruar në mesin e emigrantëve. Gjithsesi, nuk ka rrezik për qytetarët tanë, për shkak se emigrantët nuk qëndrojnë gjatë në vend dhe nuk kanë asnjë kontakt me popullatën.
Mjekët nuk kanë vërejtur raste të sëmundjeve të frymëmarrjes, të Malaries ose të etheve hemorragjike. Gjithsesi, si masë preventive janë vaksinuar të gjithë ata që punojnë në pikën kufitare në Gjevgjeli.
