Veseli: Opozita po i thotë botës se shteti i Kosovës nuk funksionon, peticioni u avullua
Kryeparlamentari Kadri Veseli thotë se opozita me veprimet e veta, po dërgon mesazh në botë se shteti i Kosovës nuk funksionon...

Këto mesazhe, thotë ai, as skeptikët më të mëdhenj për Kosovën nuk i kanë menduar.
Ai fton opozitën t’i kthehet Kuvendit. Thotë se është momenti i fundit që opozita ta bëjë këtë.
“Edhe pozita edhe opozita kanë obligime. Ajo që është kryesore, është momenti i fundit që kolegët tanë opozitarë t’i rikthehen punës në Kuvendin e Kosovës dhe të ndalin abuzimin me vendin e vet. Vendi i tyre është Kuvendi”, ka thënë Veseli në emisionin “Monitor” të RTK-së.
Ai ka thënë se mesazhet që po dërgon opozita të qytetarët dhe miqtë tonë, janë se “shteti i Kosovës nuk po funksionon”.
“Cili është mesazhi që opozita po dërgon te qytetarët: hajde ta shkelim të gjithë ligjin se ky shtet nuk po funksionon? Cili është mesazhi për miqtë tonë? Ky shtet nuk po funksionon”, tha Veseli.
Tutje ai ka thënë se peticioni i opozitës u avullua, nuk erdhi në Kuvend atje ku do të duhet, por e çuan te presidentja. (Indeksonline)
