Botë
Olland dhe Merkel: Të qetësohen marrëdhëniet turko-ruse
26.11.2015 12:04
Franca dhe Gjermania angazhohen për qetësim të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Turqisë pas incidentit me rrëzimin e aeroplanit rus...

Franca dhe Gjermania angazhohen për qetësim të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Turqisë pas incidentit me rrëzimin e aeroplanit rus, deklaruan në Paris presidenti francez, Fransoa Olland, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
"Ajo që ndodhi është incident shumë serioz. Ne jemi për qetësi. Nevojitet të bëjmë gjithçka që është e mundur me qëllim që sa më shpejtë të ripërtërihet dialogu mes Rusisë dhe Turqisë"- tha Olland.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Merkelin, Olland i bëri thirrje Gjermanisë të bëjë më shumë në luftën kundër “Shtetit Islamik”.
"Nuk mundemi thjeshtë të ndërmarrim masa në Francë, Gjermani, në Evropë. Nevojitet t'i orientojmë përpjekjet tona drejt vetë burimit"- shtoi Olland.
Presidenti francez theksoi se planifikon që në takimin e sotëm me presidentin rus, Vlladimir Putin, të potencojë se të gjithë duhet të luftojnë kundër “Shtetit Islamik”.
"Vizita e Ollandit në Rusi është shumë e rëndësishme për luftën kundër “Shtetit Islamik” dhe për vazhdim të procesit politik në Siri"- tha Merkel.
"Armiku ynë i përbashkët është terrorizmi, qëllimi ynë i përbashkët është të veprojmë në mënyrë të vendosur, sepse “Shteti Islamik” nuk mund të bindet, ai duhet të mposhtet me mjete luftarake"- shtoi kancelarja gjermane.
Ajo shfaqi shpresë se rrëzimi i bombarduesit rus Su¬24 nuk do të paraqesë hap prapa në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e situatës në Siri.
