Maqedoni

Sulmi ndaj avionit rus, Turqia publikon audion e paralajmërimit

26.11.2015 13:03

Turqia po përpiqet me çdo kusht të tregojë se rrëzimi i avionit rus ishte legjitim...

Turqia ka publikuar një regjistrim audio të paralajmërimeve ndaj avionit rus për të mos shkelur hapësirën e saj ajrore dhe të dhënave të përftuara nga radarët.
 
“Ndryshoni kurs menjëherë drejt jugut”, dëgjohet të thotë një zë në turqisht.
 
Ankaraja madje pretendon se ka tentuar edhe t`i shpëtojë dy pilotët e bombarduesit rus. Një prej tyre u vra, i qëlluar nga toka prej rebelëve gjatë rënies me parashutë.
 
Tjetri u  shpëtua  pas një misioni 12-orësh të forcave ruse në bashkëpunim me ato speciale siriane.
 
Dje kapiteni rus, Konstantin Murakhtin, tha se nuk kanë pasur asnjë paralajmërim, madje, sipas tij, avioni nuk kishte hyrë në qiellin turk.
 
Ankaraja nuk lëkundet nga pozicioni i saj. Kemi dhënë prova konkrete të shkeljes së hapësirës sonë ajrore, u shpreh një zyrtar i lartë. 
 
Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, mbështet qëndrimin paraprak të Rusisë. Goditja e avionit rus duket si provokim i planifikuar që përpara.
 
Edhe nëse pretendimet turke se avioni shkeli hapësirën e tyre ajrore do të rezultonin të vërteta, nuk kishte asnjë arsye përse ai avion të qëllohej, thotë Lavrov.
 
Është hera e parë që pas luftës koreane që një vend anëtar i NATO-s rrëzon një avion luftarak rus.
 
Aleanca veriatlantike mbështeti versionin turk të ngjarjeve, por sërish kërkoi zgjidhjen e ngërçit me diplomaci e ulje të tensioneve.
 
Vetë turqit e pranojnë se avioni nuk e shkeli hapësirën e tyre ajrore për më shumë se 17 sekonda. 
 
Moska dhe Ankaraja e kanë gjetur veten në kahjet e kundërta të konfliktit sirian, me Rusinë që mbështet aleatin e saj të vjetër, presidentin, Bashar al-Assad, dhe Turqinë, kundërshtare të ashpër, që kërkon largimin e tij nga skena politike e vendit.
 
GAZMEND REXHEPI