Maqedoni
Gjeneral major Rama në Shkup, ARM dhe FSK përforcojnë bashkëpunimin
26.11.2015 14:47
Shkëmbimi i eksperiencave në mes Ushtrisë së Maqedonisë dhe Forcave të Sigurisë së Kosovë...

Shkëmbimi i eksperiencave në mes Ushtrisë së Maqedonisë dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës, si dhe thellimi i bashkëpunimit të këtyre ushtrive në kuadër të edukimit dhe trajnimit të ushtarëve ishte tema e takimit në mes gjeneral majorit të FSK-së, Rahman Rama, dhe atij të Maqedonisë, Metodija Veliçkovski.
“Në kuadër të këtij bashkëpunimi, në edukimin dhe trajnimin e kemi edhe komunikimin rajonal, por edhe çështje të medicinës, por kemi edhe kampin e kadetëve. Ne do të vazhdojmë këtë bashkëpunim dhe ne diskutuam edhe me gjeneralin që edhe në të ardhmen ta zgjerojmë këtë bashkëpunim, duke i parë nevojat tona dhe të juaja dhe duke i parë edhe eksperiencat që i ka shteti maqedonas”- deklaroi gjeneral majori i FSK-së, Rahman Rama.
“Si çdoherë, bashkëpunimi është i dyanshëm. Ne presim nga ana e Forcave të Sigurisë së Kosovës që të jemi të ftuar, të jemi pjesëmarrës në aktivitetet e trajnimit nga ana e Qendrës së re për Kërkim dhe Shpëtim, e cila do të formohet në kuadër të Forcave të Sigurisë së Kosovës”- tha gjeneral majori i ARM-së, Metodija Veliçkovski.
Gjeneral majorët nënshkruan edhe një marrëveshje bashkëpunimi, ndërsa gjeneral majori Rama realizoi takim edhe me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Hilmi Selamin.
ERSAN PAJAZITI
