Maqedoni
Samiti Brdo–Brion, Ivanov: meritojmë të jemi pjesë e NATO-s
26.11.2015 15:29
Sfidat globale, paqja dhe siguria në rajon, si dhe zgjerimi i BE-së dhe NATO-s kanë qenë tema kyçe të Samitit të liderëve të shteteve rajonale të procesit Brdo– Brion...

Me këtë rast kryetari i vendit, Gjorge Ivanov, ka thënë se integrimi sa më i shpejtë i Maqedonisë dhe vendeve ballkanike në strukturat euroatlantike siguron çelësin e sigurisë rajonale. Lidhur me integrimit e Maqedonisë në NATO, Ivanov ka përsëritur se vendi meriton të jetë anëtare fuqiplote e NATO-s.
“Derisa ne i kryejmë të gjitha obligimet dhe nëse gjithçka mbaron ashtu siç është paraparë me marrëveshjen e arritur për krizën e Maqedonisë dhe nëse zgjedhjet kalojnë në rregull, atëherë duhet patjetër të ndryshohet status-quo-ja me integrimin e Maqedonisë dhe përfundimisht Maqedonia të marrë atë që i takon”- deklaroi kryetari i shteti, Gjorge Ivanov.
I ftuari special, zëvendëspresidenti i ShBA-ve, Joe Biden, duke përcjellë mesazhin e presidentit amerikan, Barak Obama, ka thënë se ShBA–të asnjëherë nuk e kanë lëshuar nga dora Ballkanin.Është e nevojshme që i tërë rajoni të integrohet në NATO, ka thënë Biden.
“ShBA-të kanë dhuruar 130 milion dollarë për vendet e rajonit për integrim në NATO. Ne i përkrahim anëtarësimet e të gjitha vendeve rajonale në NATO. I përkrahim dhe përshëndesim të gjitha hapat që i ka bërë Kosova dhe Serbia në dialogun konstruktiv dhe shpresojmë se edhe Maqedonia do të ketë progres në drejtim të zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë”- tha zëvendëspresidenti i ShBA-ve, JOE BIDEN.
Në këtë samit morën pjesë figura të njohura ndërkombëtare, si dhe kryetarët e vendeve të rajonit, me ç’rast nënshkruan edhe deklaratën për strategji të përbashkët për vizionit evropian, e cila siguron bashkëpunimin e vendeve rajonale në drejtim të përforcimit të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies në Evropën Juglindore.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
