Maqedoni
Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi, 100 ankesa për diskriminim gjatë këtij viti
26.11.2015 15:56
Diskriminimi në bazë etnike gjinore dhe diskriminimi i personave me aftësi të kufizuara, vazhdojnë të jenë prezent në shoqërinë tonë...

Qytetarët gjithnjë e më shumë po diskriminohen në sferën e punësimit, duke i kufizuar ata gjatë shpalljeve për punësim në bazë të moshës, gjinisë dhe statusit martesor.
Kryetari i Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, Dushko Minovski, tha se edhe përkundër kornizës ligjore për parandalimin e diskriminimit nuk është arritur të ngrihet në nivel të duhur vetëdija e qytetarëve dhe institucioneve për këtë çështje.
“Në fillim të këtij viti ishin rreth 60, ndërsa deri më sot janë bërë rreth 100 ankesa për diskriminim. Qytetarët më së shumti diskriminohen në marrëdhëniet e punës për shkak të gjinisë dhe të hendikepit. Kemi konstatuar gjithashtu se punëdhënësit bëjnë diskriminim gjatë shpalljeve për punësim, duke kërkuar persona prej 25 deri më 30 vjeç të jenë burra ose gra. Ka raste madje kur gjatë shpalljeve u kërkohet konkurruesve fotografi dhe të dhëna personale për statusin martesor. Vlerësoj se ky është shembull tipik i diskriminimit. Kjo është diçka e papranueshme”- deklaroi kryetari i Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, Dushko Minovski.
Kjo u tha në konferencën ndërkombëtare kushtuar kësaj çështje të organizuar nga Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Misioni i OSBE-së në Shkup.
Shkëmbimi i praktikave të mira për antidiskriminim me shtetet e tjera është më se i domosdoshëm për rezultate më të mira për mbrojtjen nga diskriminimi, thanë përfaqësuesit në konferencë.
“Ekziston shkëmbim i vazhdueshëm i përvojave dhe shembujve mes Maqedonisë dhe Austrisë. Ne bashkëpunojmë në sferën e antidiskriminimit, praktikave dhe ligjeve dhe mendojmë se Austria mund t’i japë Maqedonisë shumë shembuj dhe praktika të mira për parandalimin e diskriminimit të qytetarëve”- tha ambasadorja e Austrisë në Shkup, Renata Kobler.
“Hapi i ardhshëm i OSBE-së për vitin 2016 është të përpilojë një konkluzion gjithëpërfshirës për Ligjin për mbrojtje nga diskriminim”- theksoi zëvendësshefi i OSBE-së në Shkup, Marijana Berec.
Njëherit u theksua se mbi 50 për qind e institucioneve të vendit akoma nuk i kanë përshtatur kushtet për qasje të lirë të personave me aftësi të kufizuara.
REXHEP QAMILI
