Maqedoni
Konferenca Ndërkombëtare “Sfidat dhe perspektivat në zhvillimin lokal dhe rajonal”, sfida më e madhe e Maqedonisë mbetet decentralizimi fiskal
26.11.2015 16:24
Perspektiva të reja për politikat e ardhshme për zhvillimin lokal dhe rajonal, shkëmbimi i përvojave...

Perspektiva të reja për politikat e ardhshme për zhvillimin lokal dhe rajonal, shkëmbimi i përvojave, si dhe komunikimi i përforcuar midis pushteteve të niveleve të ndryshme janë pikësynimet e Konferencës Ndërkombëtare me temë “Sfidat dhe perspektivat në zhvillimin lokal dhe rajonal”.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Lirim Shabani, shprehet se shteti duhet të jetë vazhdimisht i fokusuar në ngritjen e kapaciteteve lokale për të siguruar stabilitet më të madh financiar, vetëmbështetje të komunave, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, por zhvillimin e mënyrave të reja inovative për përfshirje sa më të madhe të qytetarëve.
“Sfera e cila akoma paraqet sfidën më të madhe për ne është sfera e decentralizimit fiskal, gjë e cila potencohet edhe në sugjerimet e Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2015, në të cilën vendoset aksenti i nevojës për të siguruar qëndrueshmëri financiare të komunave në pajtim me kompetencat, ndarjen transparente të grandeve kapitale, si dhe planifikimin shumëvjeçar të buxheteve nga ana e komunave”- deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Lirimi Shabani.
Sipas zëvendëskryeministrit, Musa Xhaferi, përmes decentralizmit mund të zgjidhen shumë çështje, jo vetëm të forcohen komunat, por edhe të krijohen mekanizma që të gjitha komunitetet të jenë të përfshira në vendimmarrje dhe krijim e politikave.
“Përvojat evropiane janë dëshmi se decentralizimi është një faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin lokal dhe rajonal. Kjo na mundëson që kur bëjmë analiza krahasuese me vendet tjera, ka ndihmuar shtete që edhe të zhvillojnë demokracinë edhe të dalin nga krizat që kanë, duke pasur parasysh se ajo që është më esenciale, se ata ku jetojnë në bazë e dinë më së miri se si mund t’i përdorin resurset, çka i nevojiten atij lokaliteti dhe mund t’i përdorim lirshëm dhe në mënyrë sa ma racionale”- theksoi zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.
Kryetari i BNJVLM-së, Koce Trajanovski, tha se viteve të fundit zvogëlohet numri i komunave të cilat shumë pak arrijnë të grumbullojnë taksat komunale dhe kjo ndodh falë administrimit të mirë.
SANIJE KASAMI
