Shoqatat mediatike në protesta: Politika të mos marrë vendime pa gazetarët

26.11.2015 16:47

Gazetarët protestuan para klubit të deputetëve për mospërfshirjen e tyre në bisedimet e grupit punues...

Me fishkëllima dhe nën moton “jo në emrin tonë”, ata kërkuan që të jenë pjesë e bisedimeve, ku do të vendoset për fatin e mediave. Ata gjithashtu kërkuan sqarim nga partitë politike se pse anashkalojnë gazetarët dhe fshehin propozimet e tyre.

“Duan të vendosin për fatin tonë, duke anashkaluar interesat tona. Këtu vendoset nëse do të kemi media të lira dhe profesionale ose media të kontrolluara dhe makineri propagandistike në duart e partive politike. Duam para opinionit t’i pyesim përfaqësuesit e katër partive politike pse kundërshtojnë përfshirjen e gazetarëve dhe të mediave në bisedime dhe çfarë të keqe ka në propozimet e tyre që nuk duan t’i ndajnë me opinionin?”- tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.

Selmani tha se dyshohet se partitë politike po punojnë për interesat partiake dhe nuk duan të bëjnë ndryshime serioze në media.

“Ne si gazetarë nga përvoja e dimë se kur politikanët fshihen nga opinioni zakonisht punojnë për interesat e tyre të ngushta partiake dhe politike dhe nuk shqetësohen shumë për interesat e qytetarëve. Në fund të fundit nëse propozimet e tyre janë aq të mira dhe shkojnë në interes të përmirësimit të gjendjes në media, atëherë nuk duhet të ketë asnjë problem që ato t’i ndajnë me opinionin”- theksoi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.

Përderisa zhvillohej protesta, partitë politike në momentin e fundit shtynë takimin e tyre me ndërmjetësin, Piter Vanhojt, në klubin e deputetëve.

Nga zyra e ndërmjetësit belg, Vanhojt, kumtuan se takimi është shtyrë për shkak të takimeve konsultative për përgatitjen e propozimeve konkrete në lidhje me ligjet që kanë të bëjnë me mediat, të bazuar në debatin e partive politike dhe palët e përfshira. Këto propozime do të diskutohen në Grupin punues ditëve në vijim. Kjo lë të nënkuptohet se edhe nesër mund të mos ketë marrëveshje për reformat në media.

Ndërkohë që nga ShGM thanë se do të vazhdojnë me protesta në rast se ata nuk kyçen në bisedime. Gjithashtu i porositën ShBA-të dhe BE-në të mos ndihmojnë partitë politike të marrin vendime për mediat pas shpinës së gazetarëve. (Meral Ismaili, TVM2)