Promovohet libri i Qerim Litës, “Lidhja kosovare në ShBA dhe Jusuf Azemi”
Në Universitetin e Evropës Juglindore u promovua libri “Lidhja kosovare në ShBA dhe Jusuf Azemi” nga historiani, Qerim Lita...

Bëhet fjalë për dokumente sekrete jugosllave gjatë viteve 1971-1990 dhe Jusuf Azemin, një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes kosovare dhe ballit kombëtar, i cili luftoi për çështjen e pazgjidhur shqiptare dhe për bashkimin e kombit shqiptar.
“Me botimin e këtyre dokumenteve për Lidhjen kosovare në ShBA dhe Jusuf Azemin krijojmë një pasqyrë më të plotë të veprimtarisë atdhetare të shumë personaliteteve të shquara, të cilat për një apo arsye tjetër nuk janë shpërfaqur nëpër qarqet tona shkencore apo edhe publike. Studiuesi, Qerim Lita, ka bërë një punë të mirëfilltë shkencore dhe me peshë historike me publikimin e këtyre dokumenteve, të cilat më pastaj do të mund të shërbejnë si një lëndë e parë për zhvillimin e shumë temave dhe dilemave tjera shkencore historike, por edhe më gjerë”- deklaroi recensenti i librit, Sevdail Demiri.
“Dokumentet autentike janë baza më serioze, më e vlershme dhe më valide e njohjes, e dijes që ne e marrim, kështu që puna e z.Qerim Lita duhet çmuar lartë, sepse me guxim dhe përkushtim i ka hyrë hierarkivave dhe ka nxjerrë prej tyre një material jashtëzakonisht të vlershëm”- tha historiani nga Tirana, Beqir Meta.
“Të shkruash vepra kushtuar njerëzve me peshë historike si kjo, të cilët kanë qenë dhe janë të përkushtuar për t’i ndihmuar dhe për ta çuar përpara sadopak jetën e njerëzve të privuar nga e drejta së ekzistuari të bashkëkombësve në kohërat pa kohë…kur terrori serbo-sllav kishte sjellë Daut Bislimi, çdo të keqe në derën e çdo shqiptari”- u shpreh recensenti nga Prishtina.
“Kjo më stimulon që të vazhdoj me punën time hulumtuese-shkencore të mëtutjeshme. Mendoj që është vetëm një pikë uji në det për punën që ka bërë diaspora shqiptare gjatë 50 viteve të komunizmit”- theksoi autori i librit, Qerim Lita.
Konkretisht në libër gjinden 160 dokumente sekrete jugosllave si raporte, informata, vështrime, telegrame, plane operative, përmes të cilit zbardhet veprimtaria e organizatës Lidhja kosovare, si dhe kreut të saj.
Jusuf Azemi është i lindur në vitin 1925 në fshatin Dobrosht të Tetovës, tani është në moshën 95 vjeçare dhe jeton në Çikago. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
