“La Voixe Humanien”, TOB në manifestimin “Tetova feston Nëntorin”
Opera dhe Baleti Shtetëror shqiptar u paraqit mbrëmë në Tetovë, me një kryevepër artistike “La Voixe Humanien”...

Kjo kryevepër operistike paraqitet për herë të parë në Maqedoni. Edhe pse ishte në gjuhën origjinale, atë frënge, opera u prit mjaft mirë nga artdashësit. Një mesazh për një jetë depresive, aktuale edhe sot, por një mesazh i fuqishëm që preku deri tek spektatorët e shumtë.
“Mesazhi i kësaj vepre është depresioni i shoqërisë nëpërmjet këtij personazhi, depresive është biseda e fundit telefonike dhe një shkatërrim i një jete dhe sa jetë shkatërrohen sot çdo ditë, shkatërrohen qindra-mijëra jetë”- deklaroi regjisori dhe skenografi, Nikolin Gurakuqi.
“Kishte vite të tëra që unë insistoja që profesori të vijë në Tetovë dhe ja ishte shkruar që këtë vit, në kuadër të festave të nëntorit, të realizohet një shfaqje në mes Shoqatës “Kult” nga Kërçova dhe Komunës së Tetovës, e cila është mbështetur nga Ministria e Kulturës e RM-së, u vendos me profesorin që të vijë pikërisht kjo shfaqje moderne me një personazh, me një skenografi dhe regji shumë interesante, të bërë nga vetë profesori, Nikolin Gurakuqi”- tha mexosopranoja, Besiana Memeti.
“Ndoshta mbështetja është me një shumë simbolike, por shpresojmë në befasi të këndshme për tetovarët edhe më tutje”- theksoi sekretari shtetëror pranë Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Sheapi.
Edhe shfaqja e TOB-it ishte në kuadër të aktiviteteve të shumta të Komunës së Tetovës, të përmbledhura në manifestimin “Tetova feston Nëntorin”, të financuar nga buxheti i komunës dhe një pjesë e vogël edhe nga Ministria e Kulturës. (Visar Sadiki, TVM2)
