Merkel i vjen në ndihmë Hollandes, 650 ushtarë gjermanë në Mali
Presidenti francez, Francois Hollande, vazhdon përpjekjet për të formuar një aleancë sa më funksionale kundër terrorizmit dhe apeli i tij i radhës ka qenë ndaj Gjermanisë...

Ai pas një takimi në Paris me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se Gjermania mund të angazhohet më shumë kundër “Shtetit Islamik”.
“Asnjë vend nuk është i sigurt nga sulmet e ISIS-it. Pas sulmeve të Parisit duhet të shmangim krijimin e një situate të papërmbajtshme, që është kombinimi pleksja mes refugjatëve dhe terroristëve”- deklaroi presidenti i Francës, Fransoa Hollande.
Dhe në këtë drejtim përgjigjja e kancelares Merkel nuk ka vonuar të vijë. Ajo i ka premtuar Francës dërgimin në Mali të 650 ushtarëve gjermanë.
“Edhe Gjermania është e tronditur nga sulmet e Parisit dhe është e gatshme të bëjë gjithçka që është e mundur që tragjedi të tilla të mos përsëriten”- tha kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Kancelarja ka theksuar gjithashtu se, “Shteti Islamik” nuk luftohet vetëm me fjalë, por edhe me mjete ushtarake.
“Gjithashtu është e nevojshme të gjendet një zgjidhje politike në Siri, që kërkon angazhimin e të gjithëve, sepse të gjitha palët e përfshira mund të ulen në tryezën e bisedimeve. Në këtë drejtim procesi i nisur në Vjenë vazhdon”- theksoi kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Merkel, e cila kishte veshur një xhaketë të zezë në shenjë zie, është shprehur se, Gjermania merr pjesë në dhimbjen e Francës për jetët e humbura në atentatet e 13 nëntorit, të cilat i ka cilësuar si një sulm kundër stilit evropian të jetesës, demokracisë dhe Evropës. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
