Përplasje në Komisionin anketues, nuk miratohet rregullorja e punës
Komisioni Anketues për skandalin me përgjimet dështoi edhe në përpjekjen e dytë për të miratuar rregulloren e punës së këtij trupi...

Palët nuk kishin arritur pajtim në takimin koordinues të një dite më parë, që të dalin me një propozim/rregullore të hartuar me konsensus, por as në vazhdimin e seancës së parë nuk gjetën gjuhën e përbashkët për të ndryshuar dhe plotësuar propozim/rregulloren e propozuar nga kryetari i Komisionit, Petre Shilegov.
Pas një debati disaorësh vetëm rreth nenit të parë të propozim/rregullores, komisioni ndërpreu seancën për të kërkuar ndihmën e ndërmjetësuesit evropian për zbatimin e Marrëveshjes Politike të dy qershorit, Piter Van Hojt.
“Me keqardhje mund të konstatoj se nuk ia arritëm që të pajtohemi në tërësi rreth dispozitave të propozim/rregullores”- deklaroi kryetari i Komisionit Anketues, Petar Shilegov.
“100% dallojmë për çështje thelbësore rreth drejtimit të këtij komisioni në pjesën se si duhet të duket kjo rregullore dhe si duhet Komisioni të ushtrojë funksionin që i është përcaktuar në harmoni me vendimin e kuvendit”- tha anëtari nga VMRO-DPMNE, Pavle Sazdov.
Anëtarët e komisionit nga radhët e VMRO-së kanë vërejtje thuaja në çdo nen të propozim/rregullores, po më kontestues është neni i parë, ku përcaktohen normat në bazë të të cilave do të punojë Komisioni. VMRO kërkon që në nenin e parë të shtohet se Komisioni do të punojë në harmoni me Ligjin për Kuvend, Ligjin për ndjekjen e komunikimeve, Ligjin për informata të klasifikuara dhe Ligjin për punë të brendshme.
Numërimi në vend dhe kundërshtimet e vazhdueshme me fjalime kryesisht politike mes pushtetit dhe opozitës maqedonase acaruan deputetët shqiptarë.
“Dy ditë me radhë ne nuk kemi filluar as germën e parë të rregullores ta sjellim për punën e Komisionit Anketues. Nëse vazhdojmë kështu, nga atmosfera që shoh këtu, nuk kanë fund këto diskutime rreth nenit të parë të kësaj rregulloreje”- theksoi anëtari nga BDI, Ejup Rustemi.
Vazhdimi i radhës i seancës së parë të Komisionit Anketues u caktua për të premten në orën 13, ku do të marrë pjesë edhe ndërmjetësuesi, Piter Van Hojt. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
