Britania do të bombardojë ISIS-in, Camerun paraqet propozimin në parlament
Kryeministri britanik, David Cameron, po bën përpjekje që të bindë ligjvënësit britanikë për domosdoshmërinë e përfshirjes së Britanisë së Madhe në sulmet ajrore në Siri dhe Irak kundër terroristëve të “Shtetit Islamik”...

Cameron kërkon sulme ajrore nga Britania përpara fundit të vitit, por ai do t’i kërkojë parlamentit të votojë vetëm kur të jetë i bindur në fitoren e votimit. Sipas tij, është e gabuar që Britania ta lërë sigurinë e saj në duart e vendeve të tjera dhe të presë që pilotët e vendeve të tjera të mbajnë barrën dhe rreziqet e goditjes së ISIS-it në Siri, për të penguar aktet terroriste në Britani.
Komiteti për Politikë të Jashtme është shprehur kundër ndërhyrjes ushtarake pa pasur një strategji të gjerë për konfliktin. Partitë e tjera kanë kërkuar si kusht miratimin e OKB-së dhe pasjen e një zgjidhjeje politike në Siri, por kryeministri ka theksuar se Britania nuk do të presë për një marrëveshje politike përpara se të veprojë.
Në planin prej shtatë pikash të Cameronit përfshihen më shumë masa antiterror, avancimi i një zgjidhjeje politike me një qeveri siriane që të përfaqësojë të gjithë sirianët, mposhtja e ISIS-it përmes veprimeve ushtarake dhe më tej.
Një pikë tjetër është mbështetja humanitare për sirianët, një projekt për stabilizimin dhe rindërtimin e Sirisë, si dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për të pakësuar ndikimin e ISIS-it në stabilitetin e rajonit.
