Shkëndija me një këmbë në gjysmëfinale të kupës së Maqedonsië në futboll

26.11.2015 19:17

Shkëndija ka hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë në futboll...

Kuqezinjtë e Tetovës e kanë deklasuar Vardarin me rezultat 3-0 në takimin e parë çerekfinale, të zhvilluar të enjten pasdite më Çair, duke i shkaktuar një humbje të thellë dhe duke iu hakmarrë për humbjen në ndeshjen e parë të kampionatit.

Tetovarët që nga fillimi i ndeshjes filluan të kërcënojnë portën e Pacovskit, duke shënuar dy super gola në pjesën e parë.

Fillimisht në minutën e 22-të pas një depërtimi dhe krosimi të bukur të Demirit në zonën e rreptësisë Junior realizoi gol me kokë për zhbllokimin e rezultatit dhe festës së madhe në stadiumin e Çairit.

Në minutën e 26-të Vardari mbeti me një lojtarë më pak, pasi armeni Hambarxhuijan u ndëshkua me kartonë të kuq, pas dy kartonëve të verdhë.

Në minutën e 40-të edhe një futbollist i Vardarit ndëshkohet me kartonë të kuq, edhe atë me plotë të drejtë. Është mbrojtësi Popov, i cili e goditi me bërryl Todorovskin. Popov pas kartonit të kuq bëri edhe një gjest skandaloz, duke gjuajtur me top në abitrin Stavrev.

Në minutën e 42-të kapiteni Ardian Cuculi shënoi një eurogol, duke e ngritur rezultatin në 2-0 për një festë tjetër në tribuna, në të cilën ishin tubuar rreth 4 mijë shikues, mes tyre numër i madh i Ballistëve.

Me rezultatin 2-0 përfundoi pjesa e parë.

Edhe në pjesën e dytë Shkëndija pati mundësi të mira për ngritje të rezultatit, por Ibraimi me shokë nuk ishin precizë.

Goli i tretë i shënuar në minutën e fundit ishte vepër e Radeskit për epërsi të lartë të ekipit tetovar për në ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet në javën e ardhshme.