Maqedoni

Maqedonia po ndërton gardh në kufi me Greqinë

28.11.2015 13:08

Armata e Republikës së Maqedonisë ka nisur të ngrejë një gardh me tela në kufirin jugor me Greqinë...

Zyrtarët në Shkup, megjithatë, kanë thënë se nuk do të mbyllin plotësisht kufirin për refugjatët që ikin nga lufta.
 
Autoritetet njoftojnë se qëllimi i gardhit është që “të menaxhohet fluksi i njerëzve drejt pikave të regjistrimit dhe të trajtimit”. 
 
Dy javë më parë, vendet e Ballkanit, përfshirë Maqedoninë, kanë marrë vendim që të lejojnë brenda vetëm refugjatët nga Siria, Afganistani dhe Iraku. 
 
Kjo ka bërë që migrantët e nacionaliteteve të tjera të protestojnë. Masat janë ashpërsuar pasi së paku dy prej militantëve që kanë sulmuar Parisin më 13 nëntor, kanë hyrë në Evropë duke u përzier me migrantë. 
 
Evropa po përballet me fluksin më të madh të migrantëve qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Mbi 700,000 njerëz kanë arritur vetëm këtë vit në vendet e BE-së. 
 
Ndërkohë, nga Komisioni Evropian në Bruksel, zyrtarisht informuan se pushtetarët në Maqedoni dhe në Serbi kanë mundësi që vet të vendosin se cilin prej refugjatëve do ta lejojnë të kalojnë në Rrugën Ballkanike në drejtimin e Bashkimit Evropian. 
 
Sipas, KE-së, Shkupi dhe Beogradi mund që t`i kthejnë të gjithë refugjatët që mendojnë se janë refugjat ekonomik dhe jo refugjat nga lufta. 
 
Në pyetjen e gazetarëve nëse dy vendet duhet që të konsultohen me agjencinë Fronteks rreth çështjes së refugjatëve, zëdhënësja e KE-së, Natasha Bert theksoi:” Fronteks vepron vetëm për vendet e BE-së. Në vendet e treta, ashtu si është rasti me Maqedoninë dhe Serbinë, BE-ja nuk jep rregulla se si këto shtete duhet që të veprojnë në raport me refugjatët dhe kthimin e refugjatëve ekonomik nga territori i tyre.
 
GAZMEND KURTISHI