SHQIPTARËT FESTOJNË 28 NËNTORIN

Bislimi: Qyteti i flamurit duhet të ishte Shkupi

28.11.2015 14:38

Shqiptarët festojnë 28 nëntorin, ditën e ngritjes së flamurit të Katsriotit në Krujë, ditën e shpalljes së Pavarësisë së trojeve shqiptare në Vlorë...

Shqiptarët festojnë 28 nëntorin, ditën e ngritjes së flamurit të Katsriotit në Krujë, ditën e shpalljes së Pavarësisë së trojeve shqiptare në Vlorë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UCK-së.
 
Një datë kjo mjaft e rëndësishme për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë. Por megjithëse ka kaq shumë simbolika, kjo datë festohet kryesisht si dita e flamurit. Në përkujtim të aktit të nënshkrimit të deklaratës së pavarësisë së trojeve shqiptare , në përkujtim të ditës kur Shqipëria edhe zyrtarisht I tha mjaft pushtimit osman.
 
Një datë në të cilën u shpall pavarësia, por gjithsesi nuk u ndalua dot copëtimi I trojeve shqiptare. Historiani Muzafer Bislimi thotë se në këtë datë është mirë të flitet edhe për pjesë të historisë që përmendet vetëm nga historianët.
 
Qyteti I Flamurit duhet të ishte Shkupi. Megjithatë rrethanat bënë që flamuri të ngrihej në Vlorë.
 
"Në vitin 1912 ishte kryengritja e përgjithshme që filloi në pranverë në Kosovë dhe Shqipërinë veriore dhe shqiptarët përdorën metodën ushtarake por edhe atë të negociatave. Një pjesë e lëvzjes në krye me Hasan Prishtinën mendonin se rreziku më i madh nuk vinte nga perandoria osmane por nga serbet… Në gusht të vitit 1912 , 50 mijë kryengritës shqiptarë marshuan në Shkup, ku u arrit një farë marrëveshje me perandorinë osmane, 14 pikat e Hasan Prishtinës, por  në atë kohë kishte nisur lufta Ballkanike …Ushtria serbe fitoi betejën e Kumanovës dhe ishte 15 km nga periferia e Shkupit. Hasan Prishtina  e dinte mirë këtë rrezik, por edhe fuqitë e mëdha donin që Shkupi të lirohej nga kryengritësit shqiptarë , madje as ambasadori austrohungarez , një ndër përkrahësit më të mëdhenj të parvarësisë, nuk donte që ajo të shpallej në Shkup", shprehet historiani Muzafer Bislimi. 
 
Pasi Shkupi nuk mundi të bëhej qyteti I shpalljes së pavarësisë për shkak të rethanave, stafeta I kaloi Durrësit, por me ushtrinë serbe që vecmë I afrohej edhe këtij qyteti, Ismail Qemali dhe të gjithë të tjerët, vendosën përfundimisht që dokumenti I pavarësisë të nënshkruhej në Vlorë ku edhe u ngrit flamuri I Skëndërbeut në atë që sot e njohim si Shtëpia e Flamurit.
 
VALIDE LIMANI