Sportet E Tjera

Gjithçka gati pë super përballjen e boksit profesionist, Klitschko - Fury

28.11.2015 15:05

Sonte është nata e madhe e boksit dhe sfidës midis ukrainasit Wladimir Klitschko e britanikut Tyson Fury, me ç`rast diku rreth orën 23.00, në Duseldorf të Gjermanisë do të zhvillohet dueli i vitit për peshat e rënda...

Një duel që parashikohet i fortë dhe emocionues, mes dy boksierësh që prej javësh deklarojnë se do ta fitojnë ndeshjen.
 
Gjatë natës së shkuar, ata kanë zhvilluar peshimet dhe gjithçka thuajse ka qenë në ekuilibër, por edhe një herë mes Klitschko dhe Fury nuk kanë munguar polemikat dhe akuzat e ndërsjellta. 
 
I pari që ka folur për mediat pasi ka kryer peshimin ka qenë Fury, që ka thënë se parashikon një duel të fortë: “Siç e shihni, unë e kam bërë punën time, do të jetë një ndeshje spektakolare. Unë dola në dritë, edhe Klitschko doli më në fund në dritë. Do të jetë një duel shpejtësie mes nesh. Mendoj se në këtë drejtim jemi të dy të barabartë. Shpejtësi të njëjtë në ring, fuqi grushtimi të njëjtë në ring, pra do të jetë një duel eksploziv mes nesh”, tha Tyson Fury, sfidanti i ukrainasit, që nuk ka asnjë humbje në karrierë dhe 24 fitore.
 
Gjithsesi, britaniku ende nuk ka zhvilluar në karrierën e tij një duel të këtij kalibri, me ndonjë kampion bote. Ndaj dhe vëmendja e gjithë botës sonte do të jetë e përqendruar te kjo sfidë.
 
Për Klitschkon ky duel duket si një përgatitje për meçin e radhës, ku synon të marrë edhe titullin kampion të kategorisë WBC, e vetmja që i mungon, ndërkohë që humbja e fundit daton 11 vite më parë.
 
Klitschko shoqërohej gjatë peshimit ngë vëllai i tij Vitaly, ish-boksier e kampion i peshave të rënda.
 
Të dy boksierët kanë përshëndetur në fund njëri-tjetrin, madhe edhe i kanë dhënë duart njëri-tjetrit. Wladimir, në karrierën e tij ka zhvilluar 67 duele si profesionist, duke fituar 64 prej tyre dhe humbur 3. “Unë jam gati dhe do ta shihni se si do ta mund Fury.
 
Ai është i sëmurë dhe unë do ta sjell me këmbë në tokë. Kjo sfidë është shumë më e lehtë nga sa e parashikoja, jam gati”, deklaroi ukrainasi, kampion i botës në fuqi në peshat e rënda në kategoritë WBO, WBA dhe IBF.
 
Sfida e shumëpritur mes ukrainasit Klitschko dhe britanikut Fury, do të zhvillohet sonte, me fillim në orën 23.00.