Botë

103 vjet pavarësi: Politika në Shqipëri feston ndaras

28.11.2015 16:49

Dita e Flamurit u shënua në vendin ku ai u ngrit , në Vlorë. Por as ne këetë ditë nuk u respektua amaneti I rilindasve për ti parë shqiptarët bashkë...

Në Vlorë festoi vetëm qeveria dhe presidenca shqiptare. Në ceremoninë kryesore ishin të pranishëm Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leska, dhe anëtarët e tjerë të ekzekutivit. Pas ngritjes së flamurit,u vendosën kurora me lule në emër të kombit shqiptar tek varri i Ismail Qemalit.  
 
Partia Demorkatike ndërkohë, kremtoi ditën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shqipërisë me homazhe prane  varrezave të dëshmorve, pranë bustit të komandantit legjendar të UCK-së Adem Jashari dhe në familjen e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdarit.
 
Shefi i Opozitës Lulzim Basha, tha se liria ka nevojë për një dimension tjetër  pasi  po rrezikohet nga Tirania dhe Varfëria.
 
“Asnjë komb tjetër nuk ka paguar më shtrenjtë për lirinë por kjo liri është e palotë pa lirinë nga tirania e varfërisë, pa lirinë nga tirania e padrejtësisë, arbitraritetit dhe arrogancës. Jam i bindur se ky 28 Nëntor do të shërbejë për një bashkim të ri dhe të madh të Shqiptarëve për ti dhënë lirisë kombëtare dimensionet e plota e të vërteta të lirisë dhe demokracisë, përparimit, zhvillimit dhe shanseve të barabarta para ligjit”, shprehet kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
 
Ngritja e flamurit 103 vite më parë në Vlorë, u përkujtua edhe në  në Tiranë. Më pas mijëra tullumbace kuq e zi u ngritën në lartësi duke sjell atmosferë festive për qytetarët.  Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përcolli mesazhe për bashkim, për të harruar mllefet dhe ndasitë politike.
 
“Jam shumë krenar që jemi sot bashkë sepse 28 Nëntori është mesazhi i bashkimit. Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, bëjmë gjëra të mrekullueshme, gjëra që veç e veç janë absolutisht të pamundura. Ndaj sot, le t’i harrojmë të gjitha ndasitë, të harrojmë mllefet, kundërshtitë dhe debatet me njëri-tjetrin”, shprehet kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
 
Kjo ditë është festuar edhe në të gjitha qytetet e tjera në Shqipëri.
 
GYLTENE SINANI