Sportet E Tjera

Boksi ka mbret të ri, ai është Tyson Fury

29.11.2015 16:26

Kampioni ukrainas Wladimir Klitcshko e dorëzoi fronin pas më shumë se 11 viteve në peshat super të rënda, sepse ringu tashmë ka një tjetër mbret, britanikun Tyson Fury...

55 mijë të pranishmit në “Esprit Arena” të Dusseldorfit u bënë dëshmitarë të rënies së një miti, pasi Klitschko u dorëzua në verdiktin final të gjyqtarëve të cilët votuan në unanimitet 3-0 në favor të gjigandit ishullor. I pathyer që prej 25 ndeshjesh, ukrainasi nuk e vendosi asnjëherë në vështirësi rivalin e tij pasi pesha e 39 viteve mbi supet e tij i rezervoi një surprizë të hidhur, ndoshta atë që do të mbahet mend më gjatë në karrierën e tij të pabesueshme ku mbante titujt WBA-IBF-WBO.

27-vjeçari britanik, 206 cm i gjatë dhe me peshë trupore 117 kg u shfaq menjëherë agresiv që në raundet e para duke e vënë në vështirësi kampionin që e vuajti gjatë gjithë 12 raundeve gjatësinë e kundërshtarit pasi ukrainasi është vetëm 1.98 cm i gjatë.

Kombinimet e shpejta dhe ndryshimi i ritmit herë pas here nga Fury e bënë Klitchkon të nxirrte në pah anët e tij të dobëta sepse 27-vjeçari vallëzoi në ring.

Fury ia dha shumë pak herë mundësinë ukrainasit për ta mbërthyer në cepat e arenës, madje në pjesën dërrmuese të raundeve nuk i kurseu silurët e tij drejt fytyrës së kampionit në fuqi, i cili tashmë ka një mundësi për revansh.

Sipas mediave britanike, përballja e radhës mund të zhvillohet në stadiumin “Wembley” por fjalën e fundit me shumë mundësi do ta thotë 39-vjeçari ukrainas, ndërsa në krahun tjetër, Fury ka një mundësi të artë për të unifikuar të katër titujt nëse pranon të sfidojë edhe mbajtësin e gjerdanit WBC.

Kampioni i ri ka lindur në Irlandë por pak kohë më pas u transferua bashkë me familjen në Manchester dhe emrin Tyson e mban falë adhurimit që ka për Mike Tyson.

Karriera e tij është rritur gradualisht por mbi të gjitha ai dallohet për batutat thumbuese ndaj kundërshtarëve