Formula 1

Rosberg fitues në garën e fundit të sezonit në Formula 1

29.11.2015 16:28

Nico Rosberg ka fituar sot garën e Çmimit të Madh të Abu Dhabit, sfida e fundit sezonale e Botërorit të Formula 1, duke korrur suksesin e tretë radhazi, të 6-in këtë sezon...

Kjo është hera e parë që Rosberg fiton në këtë pistë. Një garë e komanduar nga piloti gjerman i Mercedes, që e nisi atë nga vendi i parë dhe e mbylli në krye, duke mos hasur shumë rivalitet nga pilotët e tjerë. As nga shoku i skuadrës Lewis Hamilton, që u rendit i dyti në pistën e “Yas Marina”.
 
Rosberg ka dalë fitues në tri sfidat e fundit, duke konfirmuar rritjen, por fitoret kanë mbetur për statistikë, pasi titulli kampion është në duart e Hamilton.
 
Në vendin e tretë u rendit Kimi Raikkonen me Ferrari, që dueloi më vete gjatë gjithë kohës, duke lënë pas shokun e skuadrës Sebastian Vettel.
 
Piloti gjerman, falë një strategjie të mirë, arriti të rikuperojë 11 pozicione dhe të renditet i katërti pasi e nisi garën nga vendi i 15-të.
 
Në vendin e pestë u rendit Sergio Perez me Force India, në një garë të mirë, ndërkohë që deri në vendin e dhjetë u renditën njëri pas tjetrit Daniel Ricciardo (Red Bull), Nico Hulkenberg (Force India), Felipe Massa (Williams), Romain Grosjean (Lotus) dhe Daniil Kvyat (Red Bull).
 
Me këtë, botërori i Formula 1 ka ulur siparin me Lewis Hamilton kampion, që në përfundim të 19 garave sezonale grumbulloi 381 pikë.
 
Titulli i tretë për pilotin britanik në karrierën e tij, i dyti radhazi, që edhe këtë sezon triumfoi karshi shokut të skuadrës.
 
Ferrari konfirmohet si forca e dytë e këtij Botërori, një rritje e ndjeshme për “kokëkuqen”, që me 3 fitoret e Vettel tregoi se ka bërë një hap të madh përpara e se do të jetë protagoniste vitin 2016.
 
Pas garës së Abu Dhabit ka nisur festa, që do të zgjasë disa ditë, pasi të martën do të nisin provat e para dimërore të makinave të Formula 1.