Botë

Protesta gjithandej kundër ndryshimeve klimatike

29.11.2015 16:30

Në vende të ndryshme të botës ka pasur sot protesta kundër ndryshimeve klimatike...

Shumë shtete të Paqësorit druajnë se ato mund të zhduken nga valët, për shkak të rritjes së nivelit të detit nga rritja e temperaturave globale.

Në Sidnej të Australisë, shumë njerëz janë tubuar me pankartat “Nuk ka plan B”. Ndërkohë, marshimi i protestës në Paris u ndalua për arsye sigurie, por ata që dëshironin të mblidheshin në shesh në Paris kanë përdorur këpucët e tyre, duke zhvilluar kështu një protestë të heshtur me rastin e fillimit të smitit për klimën që mbahet në Paris vetëm dy javë pas sulmeve terroriste në qendër të kryeqytetit francez.

Përgjatë Bulevardit Volter disa mijëra militantë, kanë vazhduar të protestojnë me parulla në duar dhe e kanë ndërprerë atë para Bataklan në shenjë respekti për viktimat.  

Nesër në Paris, nis një konferencë e madhe për klimën, e cila organizohet nga Kombet e Bashkuara. Rreth 140 udhëheqës të botës kanë nisur të mblidhen tashmë në kryeqytetin e Francës.

Konferenca do të zgjasë deri më 11 dhjetor dhe në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë rreth 40,000 njerëz . Autoritetet franceze kanë ndërmarrë masa të rrepta të sigurisë nga frika e sulmeve terroriste.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, është në mesin e liderëve pjesëmarrës në konferencë.