Hulumtimi i Fondacionit “Fridrich Hebert”: 50% e të rinjve dëshirojnë të braktisin vendin

30.11.2015 15:05

Të dhënat e fundit nga hulumtimi i Fondacionit “Frdirih Ebert” janë tejet brengosëse sa i përket dëshirës së të rinjve për të jetuar dhe punuar në Evropë apo ShBA...

Numri i të rinjve të cilët dëshirojnë të braktisin vendin për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt është në rritje e sipër. Sipas këtij fondacioni, mbi 50% e të rinjve të anketuar janë shprehur pro migracionit, ku gjysma prej tyre kanë treguar preferenca për të jetuar dhe vepruar jashtë, pa dashur të kthehen ndonjëherë në vendlindje.

Përgjigja e shpeshtë e të anketuarve ka qenë dëshira e tyre për të filluar një jetë të re në ndonjë nga shtetet e zhvilluara të botës, fatkeqësisht është një ëndërr pothuajse e çdo të riu.

“Të rinjtë të cilët janë në moshën prej 15 deri më 29 vjeç janë përgjigjur në këtë hulumtim se në të ardhmen veten e shohin jashtë kufijve të Maqedonisë”- tha Nita Starova nga Fondacioni “Friedrich Ebert”.

“Me hulumtimin e bërë kemi arritur në shifrat dëshpëruese, se rreth 50 për qind e të rinjve, gjysma e popullatës së re, është e vendosur ose planifikon shumë seriozisht të braktis vendin. 33 për qind e atyre që kanë vendosur të dalin jashtë këtij vendi janë shprehur se atje do të kishin mbetur përgjithmonë. Nuk duhet të lejojmë një gjë të tillë”- deklaroi Marija Topuzovska Latkoviq nga Instituti për Hulumtime Sociologjike, Politike dhe Juridike.    

Hulumtimi në fjalë madje tregon se të rinjtë kërkojnë kujdes dhe kontribut të veçantë për punësim jo vetëm nga partitë politike, por dhe nga të gjithë organizmat dhe institucionet kompetente. Sipas tyre, në Maqedoni akoma nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i të larguarve që jetojnë dhe punojnë jashtë. Pa pasur të dhëna të sakta nuk mund të përgatitet një qasje serioze për të parandaluar këtë trend negativ, thanë panelistët në këtë debat.      

“Shkaqet se përse të rinjtë kanë nevojë të braktisin vendin janë shumë serioze dhe të njëjtat kërkojnë thellësisht të hulumtohen. Këtu duhet të kyçen jo vetëm partitë politike, por të gjitha organet kompetente, sektori civil, arsimi, socialja dhe së bashku të kontribuojnë në përmirësimin e kësaj gjendje”- theksoi profesori universitar, Ljupço Eftimov.

Hulumtimi  i Fondacionit “Friedrich Ebert” mbi çështjen e migracionit të të rinjve është realizuar dhe nëpër vendet e Evropës Juglindore, ndërsa metodologjia e hulumtimit është e njëjtë dhe jep mundësi për analizë komparative të të dhënave. Hulumtimi në Maqedoni është realizuar gjatë vitit 2013. (Rexhep Qamili, TVM2)