Ekonomi

Shpërblime nga Ministria e Ekonomisë për 5 biznes-planet më të mira të studentëve

30.11.2015 15:39

Angazhimi i të rinjve për t’u marrë me biznes është nevojë e ekonomisë vendase, andaj inkurajimi i studentëve...

Angazhimi i të rinjve për t’u marrë me biznes është nevojë e ekonomisë vendase, andaj inkurajimi i studentëve për t’u marrë me projekte që kanë për qëllim zhvillimin e ekonomisë dhe biznesit është domosdoshmëri.
 
Këtë qëllim e ka edhe organizimi i garës së biznesit “Bëhu perspektiv, fillo biznesin tënd”, ku Ministria e Ekonomisë shpërblen 5 biznes-planet më të mira, të projektuara nga studentët.
 
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, pas shpalljes së fituesve tha se Ministria e Ekonomisë bën përpjekje për nxitjen e frymës kreative tek studentët. 
 
“Themelimi i kompanive të vogla varet nga sipërmarrësi, individët të cilët kanë ide dhe të cilët janë të gatshëm të ndërmarrin rrezikun për të realizuar idenë. Për këtë arsye nxitja e frymës sipërmarrëse është shumë e domosdoshme nëse merret parasysh se sipërmarrësit janë të nevojshëm për çdo ekonomi”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.    
                     
Fituesi i vendit të parë u shpall Artan Xhemaili, student në UEJL, i cili theksoi se ky çmim do të jetë motiv për të vazhduar me projekte tjera.
 
“Biznesi ynë parasheh integrimin e tregut të punës prej tregut vendor në treg global. Për arsye se në tregun vendor shumë degë për të cilat ekonomia jonë nuk është adaptuar, nuk po munden shumë të rinjtë me drejtime, si p.sh. me IT dhe me inxhinieri, me gjetur punë efikase këtu. Për atë arsye ne po mendojmë që tregun e  punës ta zgjerojmë prej vendor në atë ndërkontinental, me qëllim që studentët këtu të kenë mundësi të gjejnë vende pune jashtë Maqedonisë”- tha fituesi i vendit të parë, Artan Xhemaili.      
        
Këtë organizim e përshëndeti edhe rektori i UShT-së, Vullnet Ahmeti, ai i UEJL-së, Zamir Dika, dhe rektori i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Velimir Stojkovski, të cilët theksuan se duhet të realizohen projekte të këtilla që të nxitet konkurrenca garuese mes të rinjve.
 
Në këtë garë fituesi i vendit të parë u shpërblye me 330 mijë denarë, i dyti me 230 mijë, i treti me 130 mijë denarë, i katërti me 100 mijë denarë dhe vendi i pestë me 60 mijë denarë.
 
ERSAN PAJAZITI