Maqedoni

Projekt i përkrahur nga Ministria e Shëndetësisë, në Maqedoni intervenim në boshtin kurrizor

30.11.2015 17:02

Me hapjen e Qendrës për Kirurgji Spinale në Klinikën Universitare në Shkup janë krijuar kushtet që personat...

Me hapjen e Qendrës për Kirurgji Spinale në Klinikën Universitare në Shkup janë krijuar kushtet që personat të cilët kanë probleme me boshtin kurrizor të mjekohen në Maqedoni.
 
Deri më tani këta pacientë janë mjekuar jashtë vendit, bëri të ditur drejtor i Qendrës Emergjente në Shkup, Rexhep Selmani, dhe kirurgu, Ilir Hasani. 
 
“Kemi edhe futje të procedurave të reja shëndetësore, një prej tyre është edhe Qendra për Kirurgji Spinale, e cila është një investim kapital i konsiderueshëm  nga Qeveria e Maqedonisë, Ku deri tani pacientë të cilët kanë pasur nevojë për intervenime për boshtin kurrizor janë dërguar jashtë, tani mjekohen tek ne”- deklaroi drejtori i Qendrës Emergjente, Rexhep Selmani.
 
“Ky investim prej 1 milion eurosh është një investim kapilar, është një ndër investimet më të mirëpritura për trajtimin e sëmundjeve të kurrizit në Republikën e Maqedonisë. Kemi filluar intervenim për kurrizin e shtrembët, jemi pjesë e projektit i cili është përkrahur nga Ministria e Shëndetësisë, e cila ka të bëjë me metodat e reja në mjekësi”- tha mjeku, Ilir Hasani.  
                                  
Kjo u bë e ditur me rastin e vizitës së sekretarit shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, Nasuf Ipçe, në Qendrën Emergjente. Ai me këtë theksoi angazhimin e ministrisë dhe institucioneve shëndetësore që qytetarëve t’u ofrohen shërbime sa më të mira.          
                                                         
“E kam parë të rrugës që të vizitoj për së afërmi të gjitha ato arritjet tona  në pjesën e shëndetësisë, duke e ditur se ne si strukturë partiake, me një program të bujshëm, kemi të përfshira të gjitha programet tona partiake  të inkuadruar në sektorin e shëndetësisë, respektivisht në qeveri”- tha sekretari shtetëror pranë MSH-së, Nasuf Ipçe.      
        
Qendra Emergjente në Shkup ka gjithsej 450 të punësuar, 53 prej të cilëve janë shqiptarë.
 
Ndërsa nga 82 mjekë specialistë, 17 janë shqiptarë. Gjithashtu sot kanë marrë vendime pune edhe 10 të punësuar shqiptarë. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ