Maqedoni
Ivanov takon Obamën dhe Merkelin, kërkon anëtarësimin e vendit në NATO
30.11.2015 17:09
Presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, ka shfrytëzuar Samitin në Paris për të zhvilluar takime me politikanët ndërkombëtarë edhe për çështjet e brendshme politike të vendit...

Në takimin bilateral me presidentin e ShBA-ve, Barak Obama, Ivanov ka kërkuar që Maqedonia të bëhet sa më shpejt anëtare fuqiplote e NATO-s.
Ai gjithashtu i ka shpjeguar presidentit Obama se rruga integruese e Maqedonisë nuk ka lëvizur aspak dhe se kjo status-quo duhet të tejkalohet në afat sa më të shpejtë.
Për gjendjen politike të Maqedonisë, Ivanov ka biseduar edhe me autoritetet evropiane.
Në një takim tjetër të ndarë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, duke biseduar për gjendjen momentale politike të Maqedonisë, kryetari Ivanov është shpjeguar se Ballkani është dashur moti të integrohet në strukturat e NATO-s, sepse, sipas tij, në mungesë të integrimit të vendeve ballkanike në strukturat euroatlantike Maqedonia sot po përballet me krizën e emigrantëve.
Nga Merkel Ivanov ka kërkuar ndihmë për fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për integrim në Bashkimin Evropian.
Ivanov ka ritheksuar edhe njëherë sfidën e vendit me emigrantët, si dhe ka shkëmbyer ide dhe informacione me kancelaren gjermane për asistencën evropiane ndaj Maqedonisë në menaxhimin e saj kufitar me emigrantët.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
