Maqedoni
Skandali me letërnjoftimet, Spasovski: Hetimi është në vijim
30.11.2015 17:21
Deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë kërkuar llogari sot nga ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, lidhur me procedurat e hetimit për skandalin me letërnjoftimet false...

“Deri kur prisni që Ministria e Punëve të Brendshme ta përfundojë punën e saj, sa kohë ju duhet që të dilni në opinion me ato që do të jenë si njohuri për hetimin”- deklaroi Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE.
“Hetimin e udhëheq prokurori publik sipas dispozitave ligjore dhe nuk e udhëheq Ministria e Punëve të Brendshme. Hetimi është në vijim, ekspertiza kryhet. Është zbuluar se nga 105 letërnjoftime, 90 personave u është vjedhur identiteti. Ata janë nga Kumanova, Kërçova, Gostivari dhe Shtipi”- tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Spasovski shtoi se po kryhen kontrolle në KShZ për të parë nëse janë përdorur dhe nëse janë shfrytëzuar për qëllime tjera. Sipas tij, më me rëndësi është se po zhvillohet një hetim cilësor për të vërtetuar se kush i ka bërë dhe me urdhër të kujt.
Ndërkohë, deputeti i PDSh-së, Imer Aliu, duke mos u drejtuar me pyetje konkrete, theksoi se vetë numri i projekteve për zonat e banuara me maqedonas dëshmon diskriminimin që u bëhet shqiptarëve.
“Ministrat dhe vetë kryeministri për t’u treguar se sa shumë kanë punuar, pandërprerë japin të dhëna me të cilat në fakt dokumentojnë diskriminimin që ua bëjnë shqiptarëve dhe faktojnë politikën diskriminuese dhe nacionaliste maqedonase që po udhëheq kjo qeveri”- theksoi Imer Aliu nga PDSh.
Nga ana tjetër, Goran Misovski nga PRSD-ja pyeti kryeministrin, Nikolla Gruevski, se si ka lejuar që të blihet makinë prej 600 mijë eurove kur dihet kriza ekonomike me të cilën përballet vendi, ndërsa Gruevski duke u përgjigjur, tha se ai vozitet me një makinë të vjetër më tepër se 20 vjet dhe shtoi se vetura është blerë për transportin e miqve të lartë të cilët vizitojnë Maqedoninë.
NAIM RAMADANI
