Maqedoni
Komisionit anketues për përgjimet, s’ka marrëveshje. Shtyhet seanca për herë të katërt
30.11.2015 17:44
Sërish u shty seanca e Komisionit Anketues për skandalin me përgjimet...

Përkundër pritjeve që Komisioni Anketues për skandalin me përgjimet do t’ia dalë të miratojë rregulloren për punë, një gjë e tillë nuk ndodhi as sot. Kryetari i Komisionit, Petre Shilegov, as që hapi seancën, pasi, sipas tij, palët ende nuk kanë finalizuar propozim-rregulloren, edhe pse, siç tha, janë shumë afër kompromisit, pasi është harmonizuar rreth 99% e tekstit.
Kontestuese mbeten vetëm dy çështje, thotë Shilegov, pa saktësuar se për cilat pika bëhet fjalë.
Supozohet se njëra nga çështjet kyçe për të cilat palët nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët është mënyra e votimit.
Marrë parasysh përbërjen e komisionit ku tetë nga 16 anëtarë të komisionit janë nga radhët e VMRO-së, opozita maqedonase kërkon që vota e kryetarit të komisionit të llogaritet si dy vota në rast balotazhi kur numri i votave pro dhe numri i votave kundër është i barabartë.
Mirëpo një kërkesë e tillë është e papranueshme nga anëtarët e tjerë të komisionit.
Seanca e parë e komisionit shtyhet për të katërtën herë, vetëm për pikën e parë, përkatësisht për miratimin e rregullores për punë, ndërkaq komisioni ka për detyrë të përcaktojë përgjegjësi politike për zyrtarët e përfshirë në skandalin me përgjimet e paligjshme.
Kreu i komisionit caktoi vazhdimin e seancës për ditën e martë në orën 14, kur, sipas tij, do të miratohet rregullorja e punës.
SHPËTIM NUREDINI
