Botë

Gaz lotsjellës edhe sot në Kuvendin e Kosovës, shkon në 5 numri i deputetëve të arrestuar

30.11.2015 18:05

Tanimë 5 deputetë të opozitës në Kosovë janë arrestuar për shkak të lëshimit të gazit lotsjellës në kuvend...

Tanimë 5 deputetë të opozitës në Kosovë janë arrestuar për shkak të lëshimit të gazit lotsjellës në kuvend, ndërsa edhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia për veprën e njëjtë.
 
Sot është arrestuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, dhe deputeti i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala, pasi në seancën e sotme ata lëshuan gaz lotsjellës, pas çka kryetari i kuvendi, Kadri Veseli, ndërpreu seancën.
 
Gjatë ditës u arrestua edhe deputeti i Vetëvendosjes, Fisnik Ismajli, pasi, siç njoftoi policia, gjatë kontrollit të personaliteteve në hyrje të Kuvendit të Kosovës, tek deputeti Ismajli ka gjetur dy bombola gazi, që dyshohen të jenë gaz lotsjellës.
 
Po ashtu policia bëri të ditur se arrestimet janë kryer me urdhër të prokurorisë. Më 28 nëntor u arrestua edhe ish lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ndërsa paraprakisht ishte arrestuar deputetja e AAK-së, Donika Kada Bujipi.
 
Por, pa marrë parasysh arrestimet, opozita shprehet e vendosur të kundërshtojë Marrëveshjen për Asociacionin dhe Demarkacionin, duke theksuar se arrestimi i deputetëve dhe futja e policisë në selinë e Vetëvendosjes është dëshmi e një shteti policorë.
 
“Arrestimi i deputetëve, hyrja në seli me policë, kjo është shtet policor. Por, nuk ka normalitet pa u anuluar marrëveshjet, s’di a e kanë kuptuar, dhjetëra mijëra qytetarë e kanë dëshmuar se nuk ka normalitet pa u anuluar marrëveshja. Do të vazhdojmë deri në anulim të marrëveshjeve”- deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
            
Por, kuvendi ka vazhduar punimet pasi kryesia e kuvendit paraprakisht ka marrë vendim për suspendimin ditor individual të deputetëve të opozitës. 
 
Deputetja e VV-së, Aida Dërguti, pas kësaj ka deklaruar se përjashtimi i deputetëve të opozitës nga seanca e sotme e kuvendit është në kundërshtim me rregulloren e punës së kuvendit dhe, sipas Dërgutit, tani opozitës nuk i mbetet mundësi tjetër përpos të thërrasë popullin në protesta. 
 
Situata në Kosovë po ndiqet edhe nga qendrat e vendosjes. Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, duke komentuar tensionet në rritje mes opozitës dhe qeverisë në Kosovë ka thënë se arrestimi i deputetit, Albin Kurti, dhe aktivistëve të tjerë është bërë në kohë të papërshtatshme.
 
“Duke i parë protestat e dhunshme në Kuvendin e Kosovës, unë edhe njëherë kërkoj nga partitë opozitare dhe qeveria përgjegjësi politike që të mos ketë edhe më shumë përshkallëzime në dhunë. Arrestimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe dhjetëra aktivistëve të tjerë të shtunën mund të jetë kryer sipas procedurave penale, por duke marrë parasysh situatën e tensionuar, koha dhe shtrirja e këtij aksioni nuk ishin të dobishme për të përkrahur një fillim fuqimisht të nevojshëm për dialog në mes të opozitës dhe qeverisë”- citohet të ketë deklaruar Lunacek për KosovaPress.
 
NAIM SINANI