Arrestohen në Itali dhe Kosovë katër kosovarë, akuzohen për terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes
Katër shtetas të Kosovës janë arrestuar nën akuzën për terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes racore gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe asaj italiane...

Aksionet e policisë janë kryer njëkohësisht në disa qytete italiane dhe në Kosovë.
Siç njoftojnë mediat italiane dhe ato në Kosovë, grupi ka kërcënuar me jetë edhe Papa Françeskun.
“Ky Papë do të jetë i fundit” është dëgjuar në një nga përgjimet telefonike. Hetimet që sollën në arrestimet e sotme janë kryer nga Antiterrorizmi italian dhe Policia e Breshias. Hetuesit kanë zbuluar kontaktet dhe organigramën e një organizate të dyshuar terroriste, e cila, përmes rrjeteve sociale, propagandonte ideologjinë xhihadiste. Në mesin e 4 të arrestuarve është edhe kreu i grupit, një qytetar që ka jetuar në Itali e që u arrestua në Kosovë, ndërsa tre të tjerët u arrestuan në Itali, ku jetonin prej kohësh. Policia ka ushtruar kontrolle në Breshia, Viçenca e Peruxha.
Nga hetimet rezultoi se katër të arrestuarit ishin radikalë, me ide ekstremiste dhe sjellje tipike të militantëve të ISIS-it.
Operacionin “Van Dame” e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se i arrestuari në Kosovë është një 40 vjeçar nga një fshat i Hanit të Elezit. Grupi i xhihadistëve të arrestuar në Kosovë dhe Itali njoftohet të kenë kërcënuar edhe ish-ambasadoren e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson. Po ashtu mediat në Kosovë shkruajnë se 7 kosovarë të lidhur me ISIS-in thuhet të kenë hyrë në rajonin e Ballkanit tri javë më parë.
Siç shkruan “Koha ditore”, shërbime të ndryshme të inteligjencës, përfshirë atë të Kosovës, janë të informuar për ardhjen e Lavdrim Muhaxherit, Ridvan Haqifit dhe pesë shqiptarëve të tjerë-pjesëtarë të ISIS-it, të cilët thuhet se po qëndrojnë në disa fshatra të Shkupit.
