Në Qendrën Memoriale të Holokaustit në Shkup, ekspozitë me fotografi dhe dokumente

01.12.2015 12:55

Mbrëmë në Qendrën Memoriale të Holokaustit të Hebrenjve nga Maqedonia u hap ekspozita me temë “Ballafaqimi me të kaluarën, guximi qytetar në kohë të vështira”...

Përmes kësaj ekspozite, me 34 fotografi dhe dokumente, për herë të parë u pasqyruan realitetet e bashkëpunimit mes komuniteteve në Maqedoni, në rrafshin human, në periudhat para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

“Pas disa aktiviteteve që i kemi realizuar me Institutin e Historisë Nacionale dhe Qendrën e Holokaustit, jemi sonte përsëri në një ngjarje tjetër, që përmes këtyre fotografive ta freskojmë memorien tonë, por jo vetëm aq. Ne dëshirojmë që kështu të japim mesazhin se vetëm të bashkuar mund ta mundim të keqen. Nëse për një çast jemi të shkujdesur, e keqja mund të na përpijë. Prandaj, instituti ynë ka ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjitha komunitetet fetare në vend dhe është i hapur për bashkëpunim me të gjithë”- deklaroi drejtori i ITKShShM-së, Skender Hasani.

“Maqedonia në kohërat e kaluara, të lashta, por edhe sot ballafaqohet dhe ekzistojnë etnikume, fe dhe kultura të ndryshme. Të gjitha bashkësitë etnike karakterizohen me kulturën e tyre vetanake, me krijime, me varshmëri nga kultura e tyre, vlerat kulturore, sistemet morale, format e ndryshme të jetës sociale. Gjuha, feja dhe zakonet kanë rregullën e tyre në detyrimin e marrëdhënieve shoqërore”- tha drejtori i Qendrës Memoriale të Holokaustit në Shkup, Goran Sadikario.

“Duke përkujtuar Holokaustin, përsëri dhe përsëri kthehemi dhe i përkujtojmë ethet e historisë së hebrenjve dhe ia transferojmë ato gjeneratës së tanishme dhe të ardhshme, me porosinë e ndërgjegjshme: të tërheqim vëmendjen për ardhmërinë që ajo të mos përsëritet askund asnjëherë”- theksoi kryetarja e Komunitetit Hebre në Maqedoni, Berta Romano-Nikoloq.     

Në ekspozitë ishte e pranishme edhe ambasadorja e Gjermanisë, Kristine Althauzer, drejtori i USAID-it, James Stein, si dhe intelektualë, ministra, deputetë, drejtues të institucioneve dhe kori diplomatik i akredituar në Maqedoni. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)