Botë

Kodheli dhe Demolli: terrorizmi është bërë një kërcënim global

01.12.2015 15:51

Me nderime të larta shtetërore është pritur në Ministrinë e FSK-së në Prishtinë ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli...

Pas takimit me homologun e saj në Prishtinë, Haki Demolli, dy ministrat shprehën gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit në pjesën që ka të bëjë me sfidat e sigurisë, siç është edhe terrorizmi, i cili është bërë një kërcënim global.
 
“Dy shtetet tona duhet të angazhohen për të mbrojtur qytetarët tanë. Kosova ka një target drejt Bashkimit Evropian, por Kosova ka sfida të mëdha përpara, jeni duke punuar shumë, por nuk është e mjaftueshme për të siguruar një rrugëtim që nuk është i thjeshtë, por nuk është i pamundur”- deklaroi ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli.
 
“U dakorduam të bëhet plani i vitit 2016, ku përfshihen aktivitete të cilat nuk janë realizuar në 2015. Gjatë takimit u konstatua që dy shtetet kanë rritur nivelin e gatishmërisë për mbrojtje nga terrorizimi”- tha ministri i FSK-së, Haki Demolli.
 
Kodheli dhe Demolli komentuan edhe tensionet e fundit politike në Kosovë, me ç’rast ministrja Kodheli ka deklaruar se e vetmja rrugë për të tejkaluar gjendjen e krijuar në Kosovë është diskutimi në kuvend.
 
Ndërsa, sipas ministrit Demolli nuk ka zgjidhje me dhunë, zgjidhje e vetme është dialogu politik.
 
GYLTENE SINANI