Maqedoni

Zaev: ngjarjet në Kumanovë, skenar i pushtetit

01.12.2015 16:31

Përbërja aktuale e KShZ-së, të cilës më 11 nëntor i ka skaduar afati, ka sjellë vendim skandaloz...

Përbërja aktuale e KShZ-së, të cilës më 11 nëntor i ka skaduar afati, ka sjellë vendim skandaloz, pasi është udhëhequr nga interesat politike, në dëm të qytetarëve.
 
Kështu vlerëson lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pas përgjigjes negative të KShZ-së se ankandi për huazimin e 100 milion eurove nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet. Zaev thotë se Maqedonia nuk guxon të lejojë të jetojë me huamarrje dhe borxh.
 
LSDM ka thirrur bankat, që sot duhet të japin borxhin e ri 100 milionësh, që të udhëhiqen nga interesi shtetëror dhe i qytetarëve të Maqedonisë.
 
“Mandati i këtij grupi të KShZ-së ka skaduar dhe për këtë arsye nuk mund ta refuzojnë veton e zëvendësministrit. Nuk mundet që vetoja e tij të vlejë në tregun e jashtëm, e mos të vlejë në tregun e brendshëm. Gruevski para se të ikë nga funksioni do t’i shtyjë në borxh qytetarët me 100 milion euro në tregun e brendshëm. Para disa ditëve e futi në borxh shtetin 270 për milion euro, që të mund të paguhen pagat, pensionet, ndihmat sociale dhe që të mund të realizohen projekte kapitale. LSDM, nëpërmes zëvendësministrit vendosi veto në borxhin prej 100 milion euro”- deklaroi kryetari i LSDM-Së, Zoran Zaev.
 
Në pyetjen e gazetarëve se cili është qëndrimi i tij për çështjen e mediave që po diskutohet në mes grupeve të punës, Zaev thotë se pa media të lira nuk ka zgjedhje demokratike.
 
“Në këtë moment qëndrimi i LSDM-së dhe i imi është se armiku më i madh politik për ne si opozitë janë mediat, si: Sitel, Kanal 5, Alfa, Dnevnik dhe Radiotelevizioni i Maqedonisë. Ju nuk jeni armiqtë tanë politik, ju duhet të jeni media që ndër të tjera financoheni me një pjesë të parave të qytetarëve. Ato janë edhe paratë e mia dhe paratë tuaja, edhe të opozitarëve dhe të përkrahësve të qeverisë. Luftojmë për median e pavarur. Secila e drejtë ndërkombëtare mund të gjejë aplikim në Maqedoni dhe ne do të synojnë në media të pavarura, për ne është e pranueshme”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Lideri i LSDM-së, Zaev, edhe një herë ka ripërsëritur qëndrimin se ngjarjet në Kumanovë ishin skenar i pushtetit. 
 
“Edhe sot them se ai skenar u bë nga strukturat në pushtet. Hetimi i mëtutjeshëm do t’i vërtetojë të gjitha. Dëgjuam nga disa incizime që persona nga DSK kanë biseduar me ata njerëz. Ali Ahmeti në një deklaratë pranoi se Sadullah Duraku paraprakisht është dërguar të bisedojë me ata. Ja këto lidhje të pushtetit dëshmojnë se ata dinin për strukturat bandite që ishin në Kumanovë. Argumentet tregojnë se disa prej tyre ishin në Siri, nuk do të thotë se Zaev e ndërron qëndrimin”- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Zaev, disa ditë më parë, në një konferencë në Slloveni tha se ngjarjet e Parisit nuk dallojnë nga ngjarja e Kumanovës dhe se terrorizmi është kanosje globale.
 
SANIJE KASAMI