Maqedoni
Kumanovë, avancime kadrovike në sferën e shëndetësisë
01.12.2015 17:18
Një delegacion i BDI-së i përbërë nga drejtorë të enteve dhe institucioneve të ndryshme shëndetësore, sot ka vizituar rajonin e Kumanovës dhe Likovës...

Delegacioni fillimisht vizitoi Spitalin e Kumanovës, me ç’rast drejtori, Arif Latifi, mysafirët i njoftoi me të arriturat e këtij enti shëndetësor dhe pajisjet dhe aparaturat e reja në disa reparte spitalore.
Ai gjithashtu i njoftoi mysafirët edhe me ecuritë kadrovike në këtë spital, duke shënuar rritje të kuadrit shqiptar.
Më pas sekretari shtetëror i Ministrisë së Shëndetësisë, Nasuf Ipçe, tha se falë angazhimeve maksimale Spitali i Kumanovës sot ka rolin e spitalit rajonal, pasi që këtu trajtohen pacientë edhe nga komunat jashtë Kumanovës, si dhe nga Lugina e Preshevës, si Presheva, Bujanoci e Medvegja.
Në fund të kësaj vizite mysafirët bënë një gjest human me dhënien vullnetare të gjakut.
Delegacioni vizitoi edhe Stacionin Shëndetësor në Likovë, i cili prej sot me vendim të Qeverisë shndërrohet në Shtëpi Shëndeti.
Gjatë qëndrimit në Likovë u paralajmëruan edhe investime të tjera në sferën e shëndetësisë.
NEXHAT AQIFI
