Maqedoni
Komisioni Anketues miratoi Rregulloren, zgjidhet kontesti rreth mënyrës së votimit
01.12.2015 18:01
Pas katër vazhdimeve të seancës së parë, Komisioni Anketues miratoi Rregulloren për punë...

Në koordinime paraprake, palët kanë tejkaluar dallimet rreth propozim-tekstit dhe miratimi i Rregullores ndodhi thuaja pa debat.
“Konstatoj se Komisioni e miratoi Rregulloren e vetë për punë, me 12 vota për, 1 të përmbajtur dhe një anëtar i Komisionit nuk ka votuar”- deklaroi kryetari i Komisionit Anketues, Petre Shilegov.
Gjatë marrjes së vendimeve, vota e kryetarit të Komisionit nuk do të llogaritet si dy vota, siç parashihej me propozim-tekstin paraprak, por nëse për një propozim tetë anëtarë votojnë “për” dhe tetë “kundër”, propozimi do të rishqyrtohet dhe pas konsultimeve do të votohet sërish.
“Askush në Komision nuk do të ketë të drejtën për dy vota. Do të ekzistojë e drejta për harmonizim plotësues nëse ka vota të barabarta për ndonjë vendim të caktuar. Dhe gjatë votimit të dytë, nëse sërish kemi vota të barabarta, do të konstatohet se vendimi nuk është marrë”- tha anëtari (VMRO), Antonio Milloshovski.
Por, më skeptik për efikasitetin e këtij trupi është shprehur anëtari nga radhët e PDSh-së.
“Si deputet i PDSh-së, më lejoni që të shpreh dyshimet e mia të mëdha, por edhe si parti, se ky Komision nuk do të ketë aspak sukses. Arsyeja për dyshimin tonë se ky Komision nuk do të ketë sukses, e bazojmë në faktin se tre palët që janë këtu, si LSDM, VMRO dhe BDI jo vetëm që janë shkaktarë të kësaj krize, por janë drejtpërdrejt të involvuar në këtë skandal dhe në këtë krizë për të cilën është formuar ky Komision”- theksoi anëtari (PDSh), Ernad Fejzullahu.
Pretendimet e Fejzullahut i hodhi poshtë deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi. Ai përmendi skandalin e ngjashëm të përgjimit, i njohur si “Veshi i madh”, i cili ndodhi në kohën kur PDSh ishte në pushtet.
“Këto afera, këto skandale nuk janë risi në RM, dhe dua të kujtoj kolegun që një “Vesh i madh” i shpallur në vitin 2000, besoj se nuk ishte shkaktar pjesëmarrja në qeveri e BDI-së. D.m.th. është bërë praktikë e institucioneve që të udhëheqin dhe të jetojnë me skandale. Obligimi ynë është që të organizohemi dhe këto skandale dhe këtë praktikë të skandalizimit të institucioneve ta parandalojmë dhe ta dënojmë qoftë në aspekt politik, qoftë në aspekt juridik”- u shpreh anëtari (BDI), Talat Xhaferi.
Seanca e radhës e Komisionit u caktua për ditën e enjte, kur grupet parlamentare, përkatësisht anëtarët e Komisionit duhet të propozojnë plan pune, por edhe listën e dëshmitarëve që duhet të ftohen për dëgjim.
SHPËTIM NUREDINI
