Maqedoni
Bruksel, Popovski: Maqedonia që moti meritoi ftesën për NATO
01.12.2015 18:06
Maqedonia që nga viti 2008 ka merituar anëtarësim në NATO dhe kjo gjithashtu ka baza formale...

Por, për shkak të vetos greke, Maqedonisë i mbetet të qëndrojë jashtë dyerve të NATO-s.
Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski. Duke komentuar Malin e Zi, ndaj të cilit pritet t’i bëhet ftesë formale për anëtarësim, Popovski thotë se ky vendim është i mirë për tërë rajonin.
Gjithsesi se është për t’u përshëndetur, sepse bëhet fjalë për një vend rajonal dhe cilido vend i rajonit që integrohet do të ketë vetëm ndikim pozitiv në drejtim të stabilitetit dhe sigurisë rajonale, ka thënë Popovski. Ndërkaq, pohon se Maqedonia do të vazhdojë me qëllimin për anëtarësim në paktin veriatlantik.
“Ne vazhdojmë me përpjekjet tona për anëtarësim edhe të Maqedonisë, për diçka që moti kohë e ka merituar, së paku që nga vitit 2008, kur edhe formalisht u konstatua dhe derisa nuk u imponua kontesti me emrin, Maqedonia do ta realizonte. Por, edhe me këtë partneritet që kemi me NATO-n, për ne më me rëndësi është të përmirësohet imazhi, rritja e investimeve, ndjenja për një siguri më të madhe dhe vizion i cili na motivon të qëndrojmë në qëllimin për anëtarësim të plotë”- deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
Ndërkaq, ambasadori amerikan në NATO, Daglas Lute, ka thënë se nesër do të diskutohet për politikat e dyerve të hapura të NATO-s dhe se përveç Malit të Zi do të diskutohet edhe për Maqedoninë, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Gruzinë.
Këto komente shef i diplomacisë, Popovski, i bëri pas takimit të rregullt të ministrave të Jashtëm të Këshillit Veri-Atlantik, ku është vendosur për vazhdimin e qëndrimit të ushtarëve të Maqedonisë në Afganistan në kuadër të misionit “Përkrahje vendimtare”.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
