Maqedoni
Bisedimet për mediat, s’ka marrëveshje, VMRO–DPMNE braktis bisedimet
01.12.2015 18:31
Bllokohet dialogu për reformat në media. VMRO-DPMNE braktis bisedimet e grupit punues...

Jozyrtarisht thuhet se arsyeja për largim nga takimi i sotëm i përfaqësuesve të partisë maqedonase në pushtet kanë qenë mosmarrëveshjet që kanë pasur me ndërmjetësinm, Piter Vanhaute.
Nga LSDM, të cilët janë pajtuar me një pjesë të propozimeve të Vanhautes, nëpërmjet një kumtese thonë se kjo është strategji e njohur e VMRO-DPMNE-së për t’iu ikur obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Përzhinës.
“VMRO-DPMNE vazhdon me strategjinë e zvarritjes dhe mosrespektimit të obligimeve të marra me Marrëveshjen e 2 qershorit dhe 15 korrikut. Rregullimi i mediave është një ndër kriteret kyçe pa të cilat nuk është e mundur të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike. Me një sjellje të tillë, VMRO-DPMNE vë në pikëpyetje Marrëveshjen e Përzhinës”- thuhet në reagimin e LSDM-së.
Ndërmjetësi belg pret që partitë në afat sa më të shkurtër të kthehen në bisedime. Pika më e nxehtë e bisedimeve është rregullimi i Agjencisë së Mediave. Vanhaute gjatë ditës u shpreh këmbëngulës për arritjen e kompromisit dhe vendosjen e profesionalizmit në këtë trup.
“Jam i sigurt se shumë shpejt do të ketë kompromis, ndoshta jo sot, por shpresoj se ditëve në vijim do të ketë kompromis në më shumë çështje me të cilat po ndeshemi për momentin. Para se gjithash ne duam të shohim njerëz profesionistë në Agjencinë e Mediave, kjo është e rëndësishme dhe ne do të bëjmë çfarë është e mundur të arrijmë në pikën që çdokush të dakordohet se duhen njerëz profesionistë në këtë trup”- theksoi ndërmjetësi në bisedime, Piter Vanhaute.
Për ecurinë e bisedimeve janë shprehur edhe nga Komisioni Evropian. Zëdhënësja, Maja Kocijançiç, doli me porosi se rezultat i bisedimeve duhet të jenë mediat e lira.
Mbrëmë ndërmjetësi në bisedime, Piter Vanhaute, midis tjerash propozoi që Këshilli i Agjencisë së Mediave të zgjidhet në kuvend, ndërkaq kandidatët të kenë mbështetjen nga shoqata të gazetarëve, sektorit civil ose universitetet.
Drejtori të zgjidhet nga Këshilli i Agjencisë. Propozohet që parime të ngjashme të vlejnë edhe në emërimin e Këshillit Programor të RTVM-së dhe udhëheqësisë.
RTVM të financohet nga 1% i buxhetit të shtetit, ndërkaq reklamimi qeveritar të lejohet sikurse në servisin publik ashtu edhe në mediat komerciale, nëse ato janë të interesit publik.
MERAL ISMAILI
