Maqedoni

Kuvend, raport-progresi para deputetëve

01.12.2015 18:39

Përmbajtja e raport-progresit edhe njëherë ka përplasur përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës lidhur me vlerësimet e Komisionit Evropian për Maqedoninë...

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, para deputetëve tha se raporti në vete ngërthen vlerësimin e Maqedonisë në tre drejtime edhe atë për sa u përket kritereve politike, ekonomike dhe gatishmërisë për të përmbushur detyrimet për anëtarësim në Unionin Evropian.
 
“Raporti në vete si zakonisht përmban 3 pjesë. Pjesën e kritereve politike, ekonomike dhe aftësisë për të marrë përsipër detyrat e anëtarësimit në BE. Sa u përket kritereve politike, konstatohet kriza politike në RM për vitin që po e lëmë pas dhe gjithashtu referohen edhe procese që kanë të bëjnë me materialet e përgjuara, dialogun politik, marrëveshjen politike, marrëdhëniet ndëretnike, si dhe reformat urgjente prioritare që janë me rëndësi në aspekt të përmbushjes së kritereve politike”- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
 
Përfaqësuesit e opozitës dolën me qëndrim se raporti është më i keqi deri më tani.
 
“Për fat të keq Republika e Maqedonisë mori një raport katastrofal dhe është për të ardhur keq se opozita gjatë viteve të kaluara ka folur se kjo do të ndodhë, ju nuk besonit. VMRO-DPMNE në vend që të dilte e përgatitur nga raporti i vitit të kaluar për të gjitha rekomandimet e vitit të kaluar, puna shkoi edhe më keq”- theksoi Goran Sugarevski nga LSDM.
 
“Raporti është objektiv dhe ne defakto morëm rekomandim. Për fat të keq ishte e kushtëzuar nga një arsye e thjeshtë. Ju si opozitë krijuat një fenomen me përmasa botërore që pakica të torturojë shumicën dhe me të gjitha parametrat e e devalvuat shtetin deri në kushtet e shkatërrimit të tij. Dy vite po e bëni të njëjtën vetëm për të ardhur në pushtet”- theksoi Kërsto Mukoski nga VMRO-DPMNE.
 
Debati vazhdoi me akuza dhe kundërakuza midis përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës lidhur me zhvillimet politike, duke u përqendruar në përmbajtjen e raport-progresit të KE-së për Maqedoninë. 
 
NAIM RAMADANI