Xhon Keri sot do ta vizitojë Kosovën

02.12.2015 10:08

Sekretari amerikan i Shtetit Xhon Keri sot do të qëndrojë për vizitë njëditëshe në Kosovë, njoftojnë mediat kosovare...

Gjatë vizitës pritet që Keri të takohet me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, zëvendëskryeministrin e parë Hashim Thaçi, si dhe me zëvendëskryeministrin tjetër Branimir Stojanoviq.

Gjithashtu, sipas ambasadorit amerikan në Prishtinë, Greg Delauie, është prashikuar që Keri të takohet edhe me të rinjtë e Kosovës që kanë marrë pjesë në programet arsimore dhe këmbimore amerikane dhe do ta mbajë një konferencë shtypi.

"Keri me këtë vizitë e shpreh mbështetjen dhe miqësinë e Shteteve të Bashkuara për Kosovën", ka thënë në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, ambasadori Delauie.

Para disa ditësh vizitën e Kerit e ka paralajmëruar zyrtari i Departamentit amerikan të shtetit Mark Toner, i cili tha se do të udhëtojë në Belgjikë, Kosovë, Serbi, Qipro dhe Greqi.