Dita e Drurit, mijëra fidanë për të gjelbëruar ardhmërinë

02.12.2015 14:40

Mijëra fidanë janë mbjellë në 100 lokacione në të gjithë vendin në kuadër të aksionit të 16 me radhë, “Dita e drurit-mbill ardhmërinë tënde”...

Ndërmarrjet dhe shkollat nuk punuan sot për t’ju bashkangjitur këtij aksioni.
 
Megjithëse sot gazetarët nuk e kanë pushim, RTVM ju bashkëngjit aksionit dhe njësoj si në vitet paraprake, gazetarë dhe drejtues të servisit publik mbollën fidanë të rinj, duke dhënë kështu një kontribut simbolik për pastrimin e ajrit të ndotur të Shkupit. 
 
“Ne si gazetarë jo vetëm që ndjekim aktivitetet e politikanëve gjithandej për aktivitetet e ndryshme, por edhe sot në ditën e mbjelljes së fidanëve në Maqedoni ne gjithashtu kontribuojmë për këtë ditë për të mbjellë fidanë. Është një punë e vogël, por është një kontribut jashtëzakonisht i madh për një ambient të pastër dhe të shëndoshë. Është një mesazh i mirë për të gjithë që përveç punës apo profesionet që kanë, është mirë që të kontribuojnë për ajrin dhe natyrën e pastër”- deklaroi redaktorja e Redaksisë së Lajmeve në TVM2, Merita Gashi.
 
Edhe qytetarët e anketuar nga TVM2 përkrahin këtë aksion, madje disa edhe kanë qenë pjesëmarrës aktiv në organizimet për këtë ditë.
 
“Është shumë pozitive, pasi që do të bëj kontribut për pastërtinë e ajrit. Pastërtia e ajrit është problem dhe numri më i madh i drunjve do të mundësojë ajër më të shëndoshë”- tha një qytetar. 
 
“Duhet të mbillen dru! Në shkollë të mesme kemi bërë aktivitete që ka organizuar shkolla”- theksoi një qytetar.
 
“Patjetër duhet të mbillen sa më shumë dru”- u shpreh një qytetare. 
 
“Po, në oborr të shkollës, sepse unë jam arsimtare”- potencoi një qytetare.
 
Por, me gjithë aksionet e shumta për mbjelljen e drunjve, që duhet të pastrojnë në mënyrë natyrore ajrin që thithim, edhe sot niveli i ndotjes ishte shqetësues. Zëvendëskryeministri Peshevski thotë se për ndotjen nuk ka faj vetëm industria. Peshevski gjithsesi nuk dha afat konkret kur do të mbyllet ndotësi më i madh i ajrit, “Jugohromi”.  
 
“Jugohrom’ tani punon me 20 për qind të kapacitetit dhe është pjesëmarrës shumë i vogël në ndotjen e përgjithshme të Tetovës. Insistojmë që kompania t'i kënaq standardet ekologjike në pajtim me vendimin e Qeverisë dhe në pajtim me normat evropiane. Përderisa kjo nuk ndodhë në afatet e parapara, do të ndërmerren masa të nevojshme ligjore”- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Vladimir Peshevski.
 
Gjatë këtyre viteve janë mbjellë miliona rrënjë dru në të gjithë vendin dhe shumica e tyre, sipas autoriteteve, kanë zënë dhe vazhdojnë të rriten. Këto rrënjë dru që po i mbjellim sot do ta bëjnë ndoshta atë që nuk po munden ta bëjnë njerëzit, do të funksionojnë si mushkëri pastruese të ajrit të ndotur të qyteteve tona. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)