Debat në “Argument”, analistet: Marrëveshja e Përzhinës duhet të zbatohet
Marrëveshja e Përzhinës dhe zbatimi i saj në praktikë ishin kryefjala e debatit në emisionin “Argument” në TVM-2...

Sipas profesorit universitar, Milaim Fetait, Maqedonia ka mungesë të kapacitetit demokratik që nga pavarësimi i saj. Marrëveshja e Përzhinës vetëm se ka përcaktuar diagnozën për shërimin e kësaj sëmundje, thotë ai.
“Maqedonia definitivisht nuk ka aq forca të duhura demokratike që t’i zgjidhë problemet brenda për brenda, duke respektuar proceset demokratike. Zvarritja është shumë normale kur bisedojmë ne për një përgjegjësi shumë konkrete, shumë precize, e cila është e definuar në disa raporte, në Raportin e Pribesë, në Progres-raportin e BE-së, ku vërehet se Maqedonia e ka humbur drejtimin e duhur si drejt integrimeve euroatlantike, por sidomos me mega skandalin e përgjimeve”- deklaroi profesori universitar, Milaim Fetai.
Për profesorin universitar, Mersim Maksutin, dhe analistin, Albert Musliu, përfshirja e faktorit ndërkombëtar përforcon optimizmin se megjithatë marrëveshja do të zbatohet.
“Unë bindjen time e ndaj se marrëveshja do të implementohet në tërësi edhe pse do të ketë problematika, do të ketë sfida, do të ketë pengesa, barrikada të vazhdueshme, por në përgjithësi marrëveshja do të arrijë të japë efektin e vet drejt qëllimit për të cilin është arritur ajo”- theksoi profesori universitar, Mersim Maksuti.
“Ne e kemi parë se edhe në dy fazat më të rënda të implementimit të Marrëveshjes së Përzhinës, me intervenimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, e kanë tejkaluar edhe vetveten disa politikanë dhe e kanë pranuar dhe implementuar atë obligim”- tha analisti politik, Albert Musliu.
Sipas analistëve, veprimi politik i shqiptarëve në Maqedoni në të gjithë këtë proces është i dyfishtë. Sipas tyre, krahas funksionimit të shtetit juridik ata duhet të merren edhe me të drejtat politike dhe avancimin e statusit të shqiptarëve.
“Vetë fakti se bisedohet për MO-së, ne duhet të jemi vetëkritik. A ka problem? Po, ka probleme, s’ka dilemë, por duhet t’i shohim realisht cilat janë ato probleme. Fillimisht është moszbatimi i çështjeve të definuara, të precizuara”- theksoi profesori universitar, Milaim Fetai.
“Ne përpara luftës kemi pasur status me të drejta zero në Maqedoni. Përderisa konflikti dhe MO-në e ka ngritur në një shkallë të caktuar statusin e shqiptarëve, kjo padyshim se duhet respektuar, por kjo është në një stad të caktuar, gjë që nuk është e mjaftueshme. Shqiptarët, si etnikum kaq i fuqishëm këtu, duhet të arrijë barazinë e plotë”- u shpreh profesori universitar, Mersim Maksuti.
“Në MO, në mënyrë taksative thuhet se implementimi i plotë i MO-së do të mundësojë parakushtet për një zhvillim më të mirë harmonike midis komuniteteve në Maqedoni. D.m.th. ajo ka qenë baza, jo maksimumi. Te ne qasja ka qenë e gabuar se ajo është maksimumi, duke mos i marrë parasysh këto defekte që paraqiten”- tha analisti politik, Albert Musliu.
Pjesëmarrësit në debat gjithashtu nënvizuan nevojën për pavarësimin e mediave dhe suportin që duhet t’i jepet prokurores speciale në punën e saj. (Naim Ramadani, TVM2)
