Maqedoni
Fëmijët me autizëm, mungojnë defektologët krahas problemeve të tjera
02.12.2015 15:21
Në Maqedoni, fëmijët me autizëm ballafaqohen me probleme të mëdha, mungojnë trajnimet në kuadrin mësimdhënës për punë me këta fëmijë...

Në Maqedoni, fëmijët me autizëm ballafaqohen me probleme të mëdha, mungojnë trajnimet në kuadrin mësimdhënës për punë me këta fëmijë, mungon sensibilizimi i plotë i kuadrit mësimdhënës, ka mësimdhënës të cilët refuzojnë të punojnë dhe konsiderojnë se fëmijët me autizëm nuk duhet të jenë pjesë e arsimit të rregullt fillor, por duhet të regjistrohen në paralele ose në shkolla fillore të veçanta. Vërehet edhe diskriminim nga prindërit e moshatarëve të tyre.
Zyra e Avokatit të Popullit ka hulumtuar 256 shkolla në vend dhe ka konstatuar se megjithëse fëmijët me autizëm përfshihen në arsimin e rregullt fillor, jo të gjitha shkollat janë të përgatitura që atyre t’u sigurojnë arsimin përkatës, në përputhje me nevojat e tyre.
“Hulumtimi ynë tregon se Republika e Maqedonisë ka bërë mjaft në aspekte të rregullimit formal të legjislacionit dhe të pranimeve të konventave, por në anën tjetër, sa i përket krijim të kushteve, si kushteve hapësinore nëpër shkolla, si kushteve kadrovike me personel përkatës apo profesional, jo vetëm të arsimit, por edhe të sferës së shëndetësisë, nuk ka krijuar kushte të mjaftueshme që këta fëmijë të mund bashkë me moshanikët e tyre të futen në arsim fillor”- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Nga Instituti për Defektologji thonë se gjendja me defektologët është alarmante. Në çdo shkollë duhet të ketë nga një defektolog, që të punojë çdo ditë me fëmijët me autizëm, por kjo nuk respektohet në praktikë.
“20% e fëmijëve me autizëm kanë inteligjencë normale, 5% kanë inteligjencë mbi mesatare, ndërsa 75% kanë inteligjencë mjaft të ulët dhe këta të fundit e kanë shumë më të vështirë të përfshihen në shkollë. Në çdo shkollë fillore duhet të ketë nga një defektolog, nëse duam që te sjellim inkluzionin ashtu sikur në vendet e BE-së”- theksoi Vlladimir Trajkovski nga Instituti për Defektologji.
Avokati i Popullit konstaton se në 67 shkolla fillore numri i fëmijëve me autizëm në arsimin e rregullt fillor lëviz nga 1-17 nxënës. Në një pjesë të shkollave fillore, prindërit e këtyre fëmijëve me shpenzime vetjake sigurojnë defektologë për punë me fëmijët e tyre, ndërkohë që ka raste kur edhe vet prindërit i shoqërojnë fëmijët gjatë orëve të mësimit, përkatësisht gjatë procesit mësimor.
REJHANE BUSHI-METAJ
