Maqedoni
Rreziku nga terrorizmi, Qamili: situata është e qetë dhe stabile
02.12.2015 16:17
Ministria e Brendshme nuk ka asnjë informacion në lidhje me praninë e grupeve terroriste në Maqedoni...

Ministria e Brendshme nuk ka asnjë informacion në lidhje me praninë e grupeve terroriste në Maqedoni, gjegjësisht nuk ka informacione lidhur me shkrimet e disa mediave se së paku 7 kosovarë të lidhur me ISIS-in kanë hyrë në rajonin e Ballkanit tri javë më parë.
Gjendja e sigurisë në Maqedoni është e qetë dhe stabile, nuk ka nevojë për shqetësim dhe panik, thotë i zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zemri Qamili.
“Ministria e Punëve të Brendshme punon dhe po I kryen të gjitha aktivitetet dhe I ka ndërmarrë të gjitha aktivitetet të cilat janë të nevojshme që siguria e shtetit dhe qytetarëve të jetë në nivelin e duhur”- deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zemri Qamili.
Sipas tij, për të parandaluar aktivitetet terroriste, nevojitet bashkëpunim i të gjitha vendeve të rajonit për shkëmbimin e informacioneve dhe ky bashkëpunim nuk mungon.
“Bashkëpunimi i policisë së vendit me policinë e shteteve fqinje është në nivel të shkëlqyer. Në këtë drejtim, në kontinuitet shkëmbehen informacione të karakterit të sigurisë”- tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zemri Qamili.
Alarmin për kthimin në vend të 69 luftëtarëve në konfliktet e huaja, e dha ditë më parë edhe presidenti Ivanov.
Kosova ndërmori një aksion arresti në bashkëpunim me Policinë italiane të 4 personave të dyshuar si rekrutues të luftëtarëve për në Siri dhe Irak dhe promovues të aktiviteteve “terroriste” në mediat sociale.
Edhe MPB është në gjendje gatishmërie të plotë dhe do të vazhdojë me ndalimin e personave të dyshimtë nëse vërehen aktivitete që bien ndesh me ligjet.
SANIJE KASAMI
