Maqedoni
Huamarrja qeveritare, Aliu: ku shkuan paratë e pensioneve dhe rrogave?
02.12.2015 16:29
Pas huamarrjes së djeshme nga ana e Ministrisë së Financave, reagojnë analistët...

Sipas profesorit universitar, Hamit Aliut, koha në të cilën merret kjo hua është mjaft diskutabile dhe ngjall mjaft dyshime rreth asaj se ku do të adresohen paratë e huazuara.
Ai thekson se Qeveria, posaçërisht Ministria e Financave, nuk ka menaxhuar mirë me buxhetin, pasi që nuk ka 2 javë që është miratuar buxheti i ri, ndërsa shteti ka hyrë në borxh.
“Marrja e huasë për dhënien e rrogave tregon se kjo qeveri nuk ka aftësi të menaxhojë dhe nuk njeh gjërat më elementare në ekonomi. Të bësh aprovimin e buxhetit për vitin 2016 dhe pas 3-4 ditëve të marrësh hua tregon se nuk di, nuk ke profesionalizëm të planifikosh buxhetin tënd. E dyta, koha kur merret mund të them lirisht ka dyshim, nga shkaku se ku ishin deri dje kur nuk ishin të shpallura zgjedhjet dhe të dalin në opinion dhe të tregojnë se kjo qeveri çfarë halli ka në aspekt financiar”- deklaroi profesori universitar, Hamit Aliu.
Sipas profesorit Aliu, Qeveria duhet që të vërtetojë me fakte se këto mjete dedikohen për nevoja të qytetarëve.
“Nëse Qeveria e ka me sinqeritet, le të dalë me fakte dhe të tregon se ku kanë shkuar mjetet deri tash dhe pse ka ardhur deri tek kjo që Fondi Pensional dhe fondet tjera s’kanë mjete për të paguar. Të jetë më transparente në të gjitha shpenzimet që ndodhin”- tha profesori universitar, Hamit Aliu.
Ministria e Financave mori hua 72 milionë euro, me të cilat, sipas tyre, do të duhet të paguhen pensionet, pagat e administratës publike, subvencionet dhe ndihmat sociale. Ky veprim i Qeverisë shkaktoi reagim edhe të LSDM-së, të cilët akuzuan se këto para janë marrë për manipulime zgjedhore.
ERSAN PAJAZITI
