Maqedoni

Gratë me aftësi të kufizuara-viktima të dhunës, mungon përkrahje dhe mbrojtje nga institucionet

02.12.2015 16:40

Dhuna fizike, psikike, ekonomike janë format më të përhapura të dhunës ndaj personave me aftësi të kufizuara, e sidomos ndaj grave të kësaj kategorie...

Madje, kjo dhunë shkon deri aty sa ata përballen edhe me shtyrjen e karrocave të tyre të invalidit, si shenjë përbuzje. Por, për këtë dhunë shoqëria jonë nuk flet shumë. Gratë me aftësi të kufizuara margjinalizohen madje edhe nga institucionet, por ato nuk e denoncojnë dhunën.   
 
“Ata mund të jenë viktima të dhunës fizike, psikike, ekonomike nga anëtarët e tjerë të familjes ose të personave që kujdesën për ta. Në të shumtën e rasteve ndodhë t’u refuzohet shërbimi shëndetësor, madje ka raste të shumta kur ndaj grave me aftësi të kufizuara përdoret dhunë”- tha Vesna Matevska nga “Hera”.
 
"Nëse tek një grua me aftësi të kufizuara, veçanërisht me pengesa fizike, paraqet dhunë, asaj i duhet mbrojtje, por shteti nuk ua siguron, madje, për fat të keq, këtë nuk ua sigurojnë as organizatat joqeveritare, sepse shërbimet tona nuk janë të arritshme për këtë kategori"- theksoi Elena Dimushevska nga Rrjeti Kombëtar kundër dhunës ndaj gruas me aftësi të kufizuara. 
 
Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara në Maqedoni, Luiza Vinton, thotë se duhet ngritur vetëdija qytetare dhe institucionale që do t’u ndihmonte personave, e sidomos grave me aftësi të kufizuara, të mos bëhen viktima të dhunës. 
 
“80 për qind e grave me ndonjë lloj të aftësisë së kufizuar përballen me dhunë ose keqpërdorim. Kjo sepse predispozohet se ato nuk janë të afta të mbrohen. Kjo kategori jo vetëm që duhet të trajtohen si viktima e të mbrohen nga shteti, por duhet të kenë mundësi të përfaqësohen, kjo është mënyra e duhur”- tha  koordinatorja e KB-së në Maqedoni, Luiza Vinton.
 
Sipas statistikave botërore, personat me aftësi të kufizuara janë tre herë më shumë viktima të dhunës se të tjerët, pikërisht për shkak të paaftësisë për t’u mbrojtur. Por, Maqedonia nuk ka të dhëna të sakta për numrin e viktimave të personave me aftësi të kufizuara.  
 
REXHEP QAMILI