Maqedoni

BE ultimatum Greqisë: Drejt Maqedonisë vetëm refugjatët e luftës

02.12.2015 16:56

Shtetet anëtare të BE-së i kanë dhënë Greqisë një ultimatum se, nëse deri në samitin e ardhshëm të 17-18 dhjetorit nuk zbaton një sërë masash...

Shtetet anëtare të BE-së i kanë dhënë Greqisë një ultimatum se, nëse deri në samitin e ardhshëm të 17-18 dhjetorit nuk zbaton një sërë masash, për të cilat ka rënë dakord tetorin e kaluar për sa i përket krizës së refugjatëve, atëherë do të pezullohet nga Traktati i Schengenit.
 
Problemet për të cilat kërcënohet Greqia i përforcon edhe fakti i përqendrimit të mbi 3000 emigrantëve nga Maroku, Bangladeshi, Irani, Sudani, Algjeria dhe Pakistani në pikën kufitare me Maqedoninë, që kërkojnë me çdo kusht të hapen kufijtë.
 
Orët e fundit, këta mijëra emigrantë në kufirin greko-maqedonas, që konsiderohen si emigrantë ekonomikë dhe nuk lejohen të shkojnë në Evropë, do të çohen në qendrat e pritjes në Athinë, një veprim që mund të shkaktojë konfrontime me forcat policore, pasi asnjëri prej tyre nuk do që të qëndrojë në Greqi e më pas të riatdhesohet.
 
Kritikat ndaj Athinës kanë të bëjnë me faktin se, duke mos zbatuar masat e propozuara nga evropianët, ka hapur dyert dhe pranon çdo lloj emigranti, ndërsa duhet të pranojë dhe ndihmojë sipas marrëveshjes me shtetet e BE-së dhe ato të Ballkanit Perëndimor, duke i regjistruar vetëm refugjatët që vijnë nga zonat e luftës, si: Siria, Iraku dhe Afganistani.
 
Greqia akuzohet nga partnerët se, në të nuk po funksionojnë pikat “hotspot” të regjistrimit dhe identifikimit të refugjatëve në ishullin e Lesbosit, ajo ka refuzuar misionin e dërgimit të 400 vetëve në forcën e ruajtjes së kufijve evropianë “Frontex” dhe përdorimin e grupeve të ndërhyrjes së shpejtë të kësaj trupe, nuk ka dërguar ende 300 aparate për identifikimin e shenjave të gishtave dhe nuk po përmbush premtimin e saj për të bërë fluturime, që transportojnë refugjatët në vendet e tjera evropiane.
 
GAZMEND REXHEPI