Maqedoni

NATO fton Malin e Zi: Maqedonia duhet më parë të zgjidhë emrin

02.12.2015 16:57

Këshilli Veriatlantik kurorëzoi Malin e Zi me dërgimin e ftesës zyrtare për të filluar bisedimet për integrimin në aleancën më të fuqishme ushtarake...

Pas përfundimit të negociatave, Mali i Zi do të bëhet anëtar i 29-të i NATO-s. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s e ka quajtur këtë ditë fitore për tërë Ballkanin, por edhe për vetë NATO-n.
 
“Kjo është një ditë e mirë për Malin e Zi, një ditë e mirë për Ballkanin Perëndimor dhe për aleancën. NATO i ka dyert e hapura për integrim të vendeve të Ballkanit për të kompletuar vizionin tonë për një Evropë të tërë, të lirë dhe me paqe”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
“Sa i përket Maqedonisë, NATO do t’i dërgojë ftesë IRJM-së menjëherë pasi të arrihet një zgjidhje e përbashkët dhe e pranueshme rreth çështjes së emrit në kuadër të Kombeve të  Bashkuara”- thuhet në deklaratën e ministrave të Aleancës Veriatlantike.
 
Presidenti Ivanov vlerëson se Maqedonia ka kohë që e ka vendin në NATO, por fajin për mosanëtarësim, sipas tij, e ka Greqia.
 
“Për shkak të bllokadës nga fqinji ynë jugor akoma jemi në gjendjen status-quo. Për këto pasoja ju kam bërë me dije të gjithë politikanëve  botërorë që i kam takuar kohëve të fundit. Bllokada krijon frustracione për ne dhe për popullatën”- tha kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov.
 
BDI, ndërkohë, vlerëson se integrimi i Ballkanit në NATO është rruga më e drejtë dhe më e sigurt për të pasur paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon. Edhe për BDI-në pengesë për mosmarrjen e ftesës është çështja e emrit. 
 
Por, analisti politik, Ismet Ramadani, vlerëson se faktor kyç përse NATO deri më tani nuk hap portën për Maqedoninë janë lëkundjet e brendshme politike të cilat kanë ndikuar që bashkësia ndërkombëtare mos të intervenojë edhe aq në kontestin që vendi ka me Greqinë.
 
“Ajo që është për t’u brengosur kësaj radhe edhe më shumë është se pothuajse një konkluzë thirret në mënyrë komplementare me atë të BE-së, pra Marrëveshja e Përzhinës të implementohet në tërësi, pastaj dobësitë në media, çështjet juridike e kështu me radhë,  por çka është me rëndësi përsëri përmendet Marrëveshja e Ohrit dhe implementimi i saj pa hile dhe krejt kjo tregon se Maqedonia duhet edhe shumë të punojë që ta meritojë ftesën”- theksoi analisti politik, Ismet Ramadani.
 
Samiti i radhës i NATO-s do të organizohet në korrikun e ardhshëm në Varshavë. Por, sipas konkluzave të paktit veriatlantik, me plotësimin e kushteve dhe kritereve nga ana e Maqedonisë NATO mund t’i bëjë ftesë zyrtare vendit për anëtarësim edhe në takimet e rregullta të Këshillit Veriatlantik. 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU