Maqedoni
Pezull debati për mediat, VMRO hesht, Vanhaute optimist
02.12.2015 17:19
Grupi punues nuk u mblodh për të vazhduar debatin mbi mediat dhe nuk ka ndonjë informacion se kur të njëjtat do të vazhdojnë...

Ndërprerja e bisedimeve pason pas braktisjes së takimit nga përfaqësues të VMRO-DPMNE-së. Brenda partisë së Gruevskit akoma nuk janë koordinuar se si do të veprojnë më tutje dhe me çfarë kushtesh do të kthehen në bisedime. Në kumtesën për media thonë se nuk do të lejojnë që LSDM të mohojë lirinë e të shprehurit.
“Dje u qartësuan rrënjët e propozimit fashizoid të LSDM-së me Ligjin për gazetarë, i cili nuk aplikohet në asnjë shtet evropian. Dje LSDM ia arriti që të hidhërohet me gjithë gazetarët dhe shoqatat e mediave në vend. Nervoza dominon në LSDM, pasi që anëtarësia e saj kuptoi se çfarë dje bëri lideri i tyre, Zoran Zaev”- u tha nga VMRO.
Nga LSDM thonë se “Po rritet nervoza te Nikolla Gruevski dhe te kurirët e tij mediatik, të cilët janë në panik nga procesi i rregullimit të gjendjes në fushën e medias në Maqedoni”.
Ndërmjetësi Vanhaute u shpreh optimist se do të vazhdohet me procesin e negocimit deri në arritjen e zgjidhjes me ndërhyrje edhe të Brukselit.
Ndërkohë që kanë arritur edhe reagime nga Parlamenti Evropian, se vendi ka nevojë për ligj i cili nuk do të censurojë mediat.
“Qëndrimi im i drejtpërdrejtë është se duhet që Ligji për media në përputhje me standardet evropiane, duke garantuar lirinë e të shprehurit. Unë vij nga një shtet post-komunist dhe nuk ka shanse që ne eurodeputetët të pranojmë çfarëdo lloj ligji me të cilin mund të censurohet apo të mbyllet televizion apo radio. Na duhet ligj për media i cili do të garantojë lirinë e të shprehurit, të të menduarit”- deklaroi eurodeputeti, Branisllav Shripek.
VMRO-DPMNE braktisi bisedimet e djeshme si pasojë e mosmarrëveshjeve që kishte me ndërmjetësin Vanhaute, i cili propozon që Këshilli i Agjencisë së Mediave të zgjidhet nga Kuvendi, ndërkaq kandidatët të kenë mbështetjen e organizatave joqeveritare, shoqatave të gazetarëve ose dy universiteteve.
Nga VMRO-DPMNE kanë kërkuar që edhe kisha ortodokse maqedonase, Bashkësia Fetare Islame, presidenti dhe Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi të emërojnë nga një anëtar.
Me kërkesa për ndryshim të propozimit të ndërmjetësit belg ka dalë edhe Sindikata e RTVM-së. Nëpërmjet një shkrese adresuar ndërmjetësit dhe partive politike kërkojnë që:
“RTVM të rregullohet me ligj të posaçëm për shkak të natyrës specifike të servisit publik, si dhe në këshillin e RTVM-së të përfshihen edhe përfaqësues të të punësuarve të cilët do të zgjidhen në procedurë legjitime në Sindikatën e RTVM-së”.
Sindikata konsideron se propozimet e tilla do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së punës në servisin publik.
MERAL ISMAILI
